Mungesa e gjysmëpërçuesve shkakton vështirësi për industrinë e makinave

Auto

Mungesa e gjysmëpërçuesve shkakton vështirësi për industrinë e makinave

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 20:31
General Motors Flint, Michigan.

Ndërsa vazhdon rimëkëmbja ekonomike e Shteteve të Bashkuara, shumë amerikanë dëshirojnë të blejnë makina të reja. Por gjetja e tyre është bërë e vështirë për shkak të një mungese globale të gjysmëpërçuesve.

Klientët që dëshirojnë të blejnë një makinë të re në njërën prej pikave të shitjeve të sipërmarrësit Bill Walsh Jr. në periferi të Çikagos përballen me mungesë alternativash.

“Njerëzit na pyesin:‘ A jeni mirë? Do të mbyllni biznesin?’”, thotë menaxheri i “Bill Walsh Automotive Group”.

Zoti Walsh shpjegon se ai nuk po e mbyll biznesin, por thjesht nuk ka furnizim të mjaftueshëm.

“Ne kemi në dispozicion nëntë Toyota të reja. Zakonisht ne kemi 140-160 makina të reja të këtij lloji”, thotë ai.

Inventari i makinave të zotit Walsh është shteruar për shkak të kërkesave të mëdha nga rimëkëmbja e ekonomisë dhe kjo përkon me mungesën e gjysmëpërçuesve, që kontrollojnë sistemet elektronike të shumicës së makinave. Kjo ka çuar në një ngadalësim në prodhimin e makinave.

"Ne jemi në nivelin 35% të furnizimit krahasuar me periudhat normale. Nuk mund të përballojmë këtë rritje kaq të shpejt të kërkesave për makina të reja", thotë Bill Walsh.

Mungesa globale e gjysmëpërçuesve po i detyron prodhuesit e makinave si General Motors të ndalojnë prodhimin e kamionëve në Amerikën e Veriut. Ky është lloji më i shitur i makinave për zotin Walsh.

“Zakonisht kemi në dispozicion dyqind kamionë të kompanisë GM. Tani kemi katër ose pesë në dy pikat tona të shitjes", thotë ai.

"Unë mendoj se ata prisnin një rënie të kërkesave për makina", thotë profesori i inxhinierisë elektrike në Universitetin e Ilinoit, John Dalesasse.

Ai thekson se prodhuesit e makinave janë historikisht konservatorë dhe, duke reaguar ndaj masave kufizuese dhe pushimeve të njerëzve nga puna për shkak të pandemisë globale të koronavirusit, ata ndryshuan parashikimet e tyre për të pasqyruar atë që ata mendonin se do të ulte kërkesat për makina të reja.

“Në përgjigje të kësaj, ata porositën më pak mikroprocesorë, duke bërë që prodhuesit t’i zhvendosnin kapacitetet prodhuese në industri të tjera. Dhe kur kërkesat u rritën më shpejt sesa pritej, prodhuesit e makinave nuk ishin më në gjendje të siguronin gjithë furnizimin e duhur me mikroprocesorë, gjë po shkakton mungesat e tanishme."

Zoti Dallesasse thotë se një faktor tjetër është mungesa e prodhimit vendas të mikroprocesorëve.

“Në vitin 1990, Shtetet e Bashkuara kishin 37% të kapacitetit të prodhimit global të gjysmëpërçuesve. Sot, niveli ka rënë në 12%. Një numër i madh prodhuesish janë zhvendosur jashtë vendit, veçanërisht në Azi”, thotë profesor Dallesasse.

"Kjo është koha më sfiduese që kam përjetuar që kur u ktheva në biznesin e familjes 29 vjet më parë", thotë zoti Walsh.

Ai nuk pret një përfundim të shpejtë të krizës.

“Bazuar në bisedat që kam patur me prodhuesit e makinva, skenari më i mirë është përmirësimi i gjendjes pas gjashtë muajve. Ndërsa skenari më i arsyeshëm është një stabilizim i furnizimit pas një deri dy vitesh. Pra, mund të shohim një stabilizim të tregut nga viti 2023”, thotë ai.

Ndërkohë, Walsh dhe shitësit e tjerë të makinave në të gjithë vendin po rrisin furnizimin me makina ekzistuese, të përdorura, që mund të blihen lehtësisht.

"Ne po punojmë shumë për t’u furnizuar me makina të përdorura për të kompensuar mungesën e furnizimit me makinave të reja", thotë ai.

Organizata “Cox Automotive”, e cila mbledh të dhënat e shitjes së makinave të përdorura, thotë se çmimi mesatar për një makinë të përdorur në Amerikë arriti në 25,000 dollarë në qershor, duke shënuar një rekord i ri./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat