Konfiskohen rreth 5200 breshka të vogla në një aeroport të Malajzisë

Azia

Konfiskohen rreth 5200 breshka të vogla në një aeroport të Malajzisë

Më: 26 qershor 2019 Në ora: 15:47
Foto ilustrim

Autoritetet malajziase i kanë konfiskuar më shumë se 5200 breshka të vogla në dy valixhe në aeroportin e Kuala Lumpurit. Lidhur me këtë rast policia i ka arrestuar dy burra me shtetësi indiane.

Zyrtarët e këtij shteti thanë se vlera e të gjitha breshkave të konfiskuara është rreth 12 mijë e 700 dollarë dhe ato ishin planifikuar të shiteshin si kafshë shtëpiake në Indi.

Malajzia është vend transit për trafikuesit e kafshëve të egra, të cilat zakonisht shiten në shtete të tjera të Azisë.

Dy burrat indianë u arrestuan javën e kaluar pasi arritën me aeroplan në Kuala Lumpur nga qyteti kinez i Guangzhout. Këto hollësi i bëri të ditura zyrtari i lartë i Doganës së Malajzisë, Zulkurnain Mohamed Yusof.

Ai tha se burrat e arrestuar, njëri 30 e tjetri 42 vjeç, nuk kishin leje për transportimin e këtyre breshkave. Ata mund të dënohen me më së shumti pesë vjet burgim dhe gjobë me të holla.

“Ky është rasti i parë i kësaj natyre për këtë vit dhe nuk mund të bëjmë krahasim të sasisë së breshkave me rastet e kaluara. Sidoqoftë, duket se është një sasi e madhe e tyre, e fshehur në dy valixhe, të cilat janë gjetur në të njëjtën kohë”, tha zyrtari i Doganës.

Sipas Unionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës, breshkat veshkuqe janë lloji më i popullarizuar në tregun e kafshëve shtëpiake në këtë rajon të Azisë, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat