Talibanët vrasin tetë komisionerë të zgjedhjeve në Afganistan

Azia

Talibanët vrasin tetë komisionerë të zgjedhjeve në Afganistan

Më: 30 qershor 2019 Në ora: 11:57
Afganistan

Luftëtarët talibanë i kanë vrarë tetë punëtorë të komisionit të zgjedhjeve  të shtunën në mbrëmje në provincën jugore të Kandaharit në Afganistan.

Punëtorët e Komisionit të Pavarur të Zgjedhjeve ndodheshin në një zyrë qeveritare për regjistrim të votuesve kur luftëtarët e grupit të talibanëve e realizuan sulmin. Ky grup e ka marrë përgjegjësinë për këtë aksion.

Qari Yousuf Ahmadi, zëdhënës i talibanëve, tha se luftëtarët e këtij grupi i kanë vrarë disa punëtorët të komisionit të zgjedhjeve dhe 57 anëtarë të forcave afgane të sigurisë. Ai gjithashtu tha se forcat e tyre i kanë zënë robër 11 persona të tjerë, të cilët po lëviznin me pesë vetura.

Sidoqoftë, qeveria afgane tha se talibanët i kanë zmadhuar shifrat. Qaseem Azad, sekretar i policisë së Kandaharit tha se forcat e tyre kanë pasur pasoja nga ky sulm, por nuk dha hollësi të tjera.

Luftimet mes talibanëve dhe forcave afgane janë shpeshtuar, ndonëse përfaqësuesit e talibanëve janë duke zhvilluar bisedime të paqes me zyrtarët amerikanë në Katar për t’i dhënë fund luftës 18-vjeçare, së cilës nuk po i shihet fundi, shkruan “Reuters”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat