Emiratet e Bashkuara Arabe duan të bisedojnë për programin e raketave të Iranit - Bota Sot
Emiratet e Bashkuara Arabe duan të bisedojnë për programin e raketave të Iranit

Azia

Emiratet e Bashkuara Arabe duan të bisedojnë për programin e raketave të Iranit

Më: 10 nëntor 2019 Në ora: 12:23
Ministri i Jashtëm i Emirateve, Anwar Gargash.

Emiratet e Bashkuara Arabe i kanë bërë thirrje Iranit që të negociojë me fuqitë botërore dhe fqinjët e saj, jo vetëm për çështjet bërthamore, por edhe për programin e raketave balistike të Teheranit dhe përdorimit të tyre nga grupet e mbështetura nga Irani që gjenden jashtë Republikës Islamike.

Kjo thirrje e Emirateve të Bashkuara Arabe vjen pasi javën e kaluar Teherani njoftoi se do të largohet edhe më tej nga marrëveshja bërthamore që ka nënshkruar me fuqitë botërore, nga e cila, Shtetet e Bashkuara u larguan vitin e kaluar.

“Përshkallëzimi i mëtejmë në këtë pikë nuk i shërben askujt dhe ne fuqishëm besojmë se ka hapësirë që diplomacia kolektive të ketë sukses”, tha ministri i Jashtëm i Emirateve, Anwar Gargash.

Gargash citohet të ketë thënë se një marrëveshje e re mund të zbusë tensionet dhe të ndihmojë ekonominë e Iranit, e cila është e goditur nga sanksionet amerikane.

Tensionet janë rritur që prej se presidenti amerikan, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit.

Vendet evropiane, nënshkruese të kësaj marrëveshjeje kanë tentuar që ta shpëtojnë atë. Por, zyrtarët iranianë kanë deklaruar se nuk do të kthehen në negociata derisa nuk do të hiqen sanksionet.

Ministri Gargashi sugjeroi që të mbahet një forum në vendin e tij, ku do të diskutohej për një seri çështjesh, përfshirë edhe programin bërthamor të Iranit.

“Besoj se mund të arrijmë një marrëveshje nëse të gjitha palët do të përfshihen. Ky proces do të jetë i gjatë dhe është e nevojshme që të ketë durin dhe kurajë”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat