Nëntë minatorë gjenden të vdekur dy javë pas shpërthimit në Kinë

Azia

Nëntë minatorë gjenden të vdekur dy javë pas shpërthimit në Kinë

Më: 26 janar 2021 Në ora: 08:20
Foto ilustrim

Ekipi i kërkim-shpëtimit në Kinë i ka gjetur trupat e pajetë të nëntë minatorëve që kishin mbetur të ngujuar nga një shpërthim në një minierë ari, duke e çuar në dhjetë numrin e përgjithshëm të viktimave.

Njëmbëdhjetë minatorë të tjerë u nxorën të gjallë dy javë pas qëndrimit qindra metra nën sipërfaqen e tokës në provincën Shandong. Zyrtarët thanë të hënën se një person ende është i zhdukur, shkruan The Guardian.

Shkaktari i aksidentit është ende duke u hetuar. Shpërthimi që ndodhi më 10 janar ndikoi që 70 tonë mbetje dheu të shembeshin dhe ta bllokonin një aks të minierës, duke e pamundësuar funksionimin e ashensorëve dhe duke bllokuar minatorët nën tokë.

Chen Yumin, drejtor i grupit për kërkim-shpëtim, tha para gazetarëve se nëntë trupat e minatorëve ndodheshin më shumë se 400 metra nën sipërfaqen e tokës. Sipas tij, në minierë kanë ndodhur dy shpërthime brenda rreth një ore e gjysmë, ndërsa shpërthimi i dytë ka shkaktuar më shumë dëme.

Chen Fei, kryetar i qytetit Yantai, ku ndodhet miniera, tha se kërkimet do të vazhdojnë derisa të gjendet edhe minatori i zhdukur. Ai dhe zyrtarët e tjerë mbajtën një minutë heshtje për t’i nderuar minatorët e vdekur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat