Përshkallëzohet dhuna në Izrael-Gaza, rritet numri i të vdekurve

Azia

Përshkallëzohet dhuna në Izrael-Gaza, rritet numri i të vdekurve

Më: 11 maj 2021 Në ora: 17:08
Pamje nga Izraeli

Është rritur numri i viktimave në Gaza dhe Izrael, ndërsa dhuna midis militantëve palestinezë dhe ushtrisë izraelite vazhdon. Militantëtpalestinezë kanë nisur me më shumë se 300 raketa drejt Izraelit, që nga e hëna në mbrëmje. Në anën tjetër, Izraeli thotë se ka goditur 150 objektiva në Gaza si kundër-përgjigje. Komuniteti ndërkombëtar u ka kërkuar të dy palëve t’i japin fund përshkallëzimit.

Grupi militant Hamas, që kontrollon Gazën, tha se po vepronte për të mbrojtur xhaminë al-Aqsa të Jerusalemit nga “agresioni dhe terrorizmi” izraelit pasi lokacioni, që është i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë, ishte skenë e përplasjeve midis policisë izraelite dhe palestinezëve, të hënën, e që lanë qindra të plagosur.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Hamasi kishte “kaluar një vijë të kuqe” duke qëlluar me raketa drejt Jeruzalemit për herë të parë që disa vite dhe se Izraeli do të përgjigjej “me forcë të madhe”.

Arsyeja themelore për dhunën e ripërtërirë mbetet e njëjtë – konflikti i pazgjidhur midis hebrenjve dhe arabëve që ka shkatërruar jetët palestinezëve e izraelitëve për breza të tërë.

Prandaj, ky eskalim ishte diçka që pritej të ndodhte, në një konflikt që, edhe një herë, është lënë të thellohet i papenguar.

Udhëheqësit e të dy palëve mbesin të përqendruar në ruajtjen e pozicioneve të tyre në skenën politike. Rjedhimisht, sfida më e madhe, e bërjes së paqes, nuk është adresuar seriozisht për vite me radhë.

Cilat janë zhvillimet e fundit në terren?

Dhuna nuk u qetësua dhe goditjet me raketave nga ana palestineze dhe sulmet ajrore izraelite vazhduan në të gjithë rajonin edhe të martën.

Sipas mjekëve izraelitë, këto kanë çuar në 52 numrin e të plagosurve.

Hamas tha se kishte lëshuar 137 raketa në vetëm pesë minuta dhe paralajmëroi se kishte “shumë surpriza” të përgatitura nëse luftimet vazhdonin.

Ushtria izraelite tha se më shumë se 300 raketa ishin lansuar nga militantët, që nga ora 18:00 (15:00 GMT) e të hënës por se 90 për qind e tyre ishin rrëzuar nga sistemi i saj i mbrojtjes nga raketat “Iron Dome”.

Ushtria izraelite tha se kishte goditur 130 “caqe terrori” në Gaza brenda natës, përfshirë dy tunele sulmuese që ishin gërmuar nën kufirin me Izraelin, një strukturë e inteligjencës e Hamas dhe vendet e prodhimit dhe magazinimit të armëve.

Ministria e shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, raportoi se të paktën 26 palestinezë, përfshirë nëntë fëmijë, ishin vrarë në sulmet izraelite dhe më shumë se 120 të tjerë ishin plagosur.

Reagimet në botë?

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, tha që Hamasi duhet t’i japë fund sulmeve me raketa “menjëherë”, duke shtuar se “të gjitha palët duhet të ndalin përshkallëzimin (e dhunës)”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ishte thellësisht i shqetësuar me dhunën.

Ndërsa në një postim në Twitter, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, tha se sulmet me raketa “duhet të ndalen”, duke bërë thirrje për “një fund të shënjestrimit të popullsive civile”.

Zyra e Shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se dhuna në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jerusalemin Lindor “duhet të ndalet menjëherë”.

Këshilli i Sigurimit i KB zhvilloi një takim urgjent të hënën për të diskutuar situatën, por nuk lëshoi ​​një deklaratë.

Një zyrtar palestinez i tha agjencisë së lajmeve Reuters se KB, Egjipti dhe Katari, që shpesh ndërmjetësojnë midis Izraelit dhe Hamasit, po përpiqeshin të ndalnin luftimet.

Çfarë e ka shkaktuar dhunën?

Luftimet midis Izraelit dhe Hamasit u shkaktuan nga përshkallëzimi, për ditë me radhë, i dhunës mes palestinezëve dhe policisë izraelite në një kompleks të shenjtë në një kodër në Jerusalemin Lindor.

Vendi respektohet si nga myslimanët, të cilët e quajnë Haram al-Sharif (Shenjtërorja Fisnike), ashtu edhe nga hebrenjtë, për të cilët njihet si Mali i Tempullit.

Hamas kërkoi që Izraeli të hiqte policinë nga atje dhe nga lagja kryesisht arabe e Sheik Jarrah, ku familjet palestineze përballen me kërcënimet me dëbim nga kolonët hebrenj. Kur ultimatumi i Hamasit nuk u morr parasysh, Hamasi nisi sulmin me ​​raketa.

Zemërimi palestinez tashmë ishte i lartë për shkak të javëve të tëra me tensione në Jerusalemin Lindor, të nxitura nga një seri konfrontimesh me policinë që nga fillimi i muajit të shenjtë islam të Ramazanit, në mes të prillit.

Ajo u nxit më tej nga pritjet e vendimit të gjykatave për fatin e familjeve në Sheik Jarrah – përfundimisht i shtyrë për shkak të trazirave – si dhe nga kremtimet nga ana e Izraelit të përvjetorit të marrjes së Jerusalemit Lindor në luftën e Lindjes së Mesme në vitin 1967, e njohur si Dita e Jerusalemit.

Fati i qytetit, që ka rëndësinë të madhe fetare dhe kombëtare për të dyja palët, qëndron në thelb të konfliktit të vjetër Izraelito-Palestinez. Izraeli në fakt aneksoi Jerusalemin Lindor më 1980 dhe e konsideron të gjithë qytetin kryeqytetin e vet, megjithëse kjo nuk njihet nga shumica dërrmuese e vendeve të botës.

Palestinezët pretendojnë gjysmën lindore të Jerusalemit si kryeqyteti i një shteti të tyre të shpresuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat