​Tërmet në Tokio, 17 të lënduar

Azia

​Tërmet në Tokio, 17 të lënduar

Më: 7 tetor 2021 Në ora: 21:01
Ilustrim

Një tërmet me magnitudë 6.1 ballë sipas shkallës së Rihterit ka goditur sonte Tokion, si pasojë e të cilit 17 persona janë lënduar, raporton Kyodo News.

Sipas televizionit NHK, tërmeti ndaloi trenat dhe shkaktoi ndërprerje të herëpashershme të energjisë.

Zyrtarët deklaruan se nuk u shkaktuan dëme të mëdha materiale dhe se nuk kishte rrezik për një cunami.

Epiqendra u regjistrua në lindje të Tokios, në provincën Chiba, në një thellësi prej rreth 80 kilometrash.

Reuters raporton se tërmeti u regjistrua me një magnitudë 5 në shkallën e intensitetit japonez, i cili është një nivel që mund të shkaktojë dëme në ndërtesa dhe linja të energjisë. Agjencia Meteorologjike Japoneze tha se nuk ka rrezik për cunami.

Transmetuesi privat TBS raportoi incidente me shpërthimin e tubave të ujit në Tokio. Tokio Electricity raportoi 250 raste të ndërprerjeve të energjisë në kryeqytetin japonez.

Tërmeti u ndje në pjesën më të madhe të Japonisë lindore, duke tronditur ndërtesat dhe duke aktivizuar shenjat e alarmit në telefonat e banorëve për t'i paralajmëruar ata që të largoheshin.

Zyrtari shtetëror Hirokazu Macuno tha se asnjë anomali nuk ishte vërejtur në objektet bërthamore në zonë.

Tërmetet janë të shpeshta në Japoni, pasi ajo është një nga zonat më sizmike aktive në botë. Rreth 20 për qind e tërmeteve të botës me magnitudë 6 ballë ndodhin në këtë vend.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat