Pesë logopedë në Hong Kong dënohen për botimiin e librave ‘të pahijshëm’ për fëmijë

Azia

Pesë logopedë në Hong Kong dënohen për botimiin e librave ‘të pahijshëm’ për fëmijë

Më: 11 shtator 2022 Në ora: 08:04
Foto ilustrim

Pesë logopedë në Hong Kong janë burgosur me nga 19 muaj secili pasi u shpallën fajtorë për botimin e librave “të pahijshëm” për fëmijë.

Autoritetet i interpretuan librat – për delet që përpiqeshin të luftojnë kundër ujqërve që tentojnë ta marrin kontrollin e fshatit të tyre – duke iu referuar Hong Kongut dhe qeverisë së Pekinit.

Autorët argumentuan se librat përmbanin “historinë nga këndvështrimi i popullit”.

Por një gjykatës i zgjedhur nga qeveria arriti në përfundimin se librat ishin “një ushtrim për larjen e trurit”.

Dënimi vjen në mes të një goditjeje ndaj lirive civile që nga viti 2020, kur Kina vendosi një ligj të ri të sigurisë kombëtare.

Pekini tha se ligji ishte i nevojshëm për të sjellë stabilitet në qytet, por kritikët thanë se ai ishte krijuar për të shtypur disidencën dhe për të dobësuar autonominë e Hong Kongut.

Hong Kongu është një rajon i posaçëm administrativ i Kinës dhe ka një parim “një vend, dy sisteme”, i cili është krijuar për t’i dhënë qytetit liri të caktuara.

Pesë logopedët – Lai Man-ling, Melody Yeung, Sidney Ng, Samuel Chan dhe Fong Tsz-ho – kanë kaluar tashmë më shumë se një vit në burg në pritje të vendimit.

Një nga avokatët e tyre tha se ata mund të lirohen brenda një muaji, për shkak të kohës së vuajtur tashmë të dënimit.

Grupi, i cili është i moshës 25-28 vjeç, prodhoi e-libra vizatimorë që disa i interpretuan si përpjekje për t’u shpjeguar fëmijëve lëvizjen pro-demokratike të Hong Kongut.

Në një nga tre librat, një fshat delesh lufton kundër një grupi ujqërish që po përpiqen të marrin nën kontroll vendbanimin e tyre.

Të shtunën, pesë logopedët thanë se librat kishin për qëllim të ndihmonin fëmijët të kuptonin padrejtësinë sistematike.

Por gjykatësi Kwok Wai-kin akuzoi logopedët se “mbjellin “farën e paqëndrueshmërisë” në qytet dhe në të gjithë Kinën.

Ata u akuzuan sipas një ligji të rebelimit të epokës koloniale – i cili deri vonë ishte përdorur rrallë nga prokurorët – në vend të ligjit të sigurisë kombëtare të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat