Japoni, viktima e parë e fatkeqësisë në impiantin e Fukushimës - Bota Sot
Japoni, viktima e parë e fatkeqësisë në impiantin e Fukushimës

Azia

Japoni, viktima e parë e fatkeqësisë në impiantin e Fukushimës

Më: 5 shtator 2018 Në ora: 22:05
Ilustrim

Japonia ka zyrtarizuar vdekjen e parë të një punonjësi të impiantit bërthamor të Fukushimës, si pasojë e ekspozimit ndaj rrezatimit. Viktima, një burrë rreth të 50-ave, ndërroi jetë nga tumori në mushkëri, që iu diagnostikua në vitin 2016.

Qeveria japoneze kishte pranuar më herët se rrezatimi kishte shkaktuar sëmundje të rënda në 4 prej punonjësve, por ky i sotmi është rasti i parë i humbjes së jetës.

Reaktori i Fukushimës pësoi defekte të rënda pas tërmetit me magnitudë 9 sipas shkallës Rihter, si dhe cunamit që e pasoi atë në mars të vitit 2011. Sistemet e ftohjes dolën jashtë funksioni në impiant asokohe, ndërsa prej andej rrodhën materiale radioaktive duke prekur brigjet verilindore të Japonisë.

Punonjësi që ndërroi jetë kishte punuar në stacionet e energjisë atomike që prej vitit 1980 dhe ishte me detyrën e matjes së rrezatimit në impiantin numër 1 të Fukushimës, pas dëmtimeve që pësoi ai.

Ai punoi aty të paktën dy herë pas dëmtimit të tij, duke u futur me maskë në fytyrë dhe një veshje mbrojtëse në trup, sipas Ministrisë japoneze të Shëndetit, Punësimit dhe Mirëqenies.

Pasi u konsultua me opinionet e një paneli radiologësh dhe ekspertësh të tjerë, Ministria në fjalë vendosi se familja e burrit duhej të kompensohej.

Dëmtimi i impiantit të Fukushimës shënoi edhe aksidentin më të rëndë bërthamor që prej shpërthimit të Çernobilit në vitin 1986. Rreth 18.500 njerëz humbën jetën apo u zhdukën pas tërmetit dhe cunamit, ndërsa mbi 160 mijë të tjerë u detyruan të braktisnin shtëpitë.

Edhe pse askush nuk vdiq drejtpërdrejt nga aksidenti i 2011-s, operatori i impiantit “Tokyo Electric Power Company” (TEPCO) është përballur me një sërë pretendimesh për kompensim.

Më shumë se 40 pacientë u desh të evakuoheshin nga një spital pranë zonës së fatkeqësisë, e më vonë humbën jetën, ndërsa vdekje të tjera u janë faturuar traumave të pësuara nga ata që humbën shtëpitë e tyre dhe njerëzit më të afërt.

Në qershor të vitit të kaluar, 3 ish-ekzekutivë të “TEPCO”-s dolën para gjyqit me akuzat për neglizhencë profesionale lidhur me evakuimin e spitalit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...