Boksi mbylli një vit të suksesshëm, kërkohet më shumë financim për këtë sport

Boksi

Boksi mbylli një vit të suksesshëm, kërkohet më shumë financim për këtë sport

Më: 8 janar 2020 Në ora: 12:08
Latif Demolli

Federata e Boksit të Kosovës e ka mbyllur vitin 2019 me arritje të rëndësishme, edhe pse bordi i kësaj federate ka hasur në shumë vështirësi financiare.

Donjeta Sadiku, Patriot Behrami, Shpëtim Bojku e shumë boksierë të tjerë kanë arritur rezultate të lavdërueshme gjatë këtij viti, si në arenën kombëtare, ashtu edhe jashtë saj, duke e lartësuar shtetin e Kosovës.

Vitin e kaluar ekipi i Kosovës mori pjesë për herë të parë në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”, ku kishin paraqitje tejet të mira, mirëpo nuk arritën të stolisen me medalje.

Patriot Behrami ishte ai i cili arriti suksesin më të madh në këtë garë, duke u renditur në pozitën e pestë në kategorinë 69 kilogramë.

Sekretari i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, e cilësoi vitin që lëmë pas si vitin më të suksesshëm të këtij sporti duke renditur të arriturat nga boksierët e Kosovës.

Demolli: Këto janë medaljet që kemi fituar

“Besoj që pa hamendje, viti 2019 është viti më i suksesshëm i Federatës së Boksit, këtë e them për arsye se këtë vit kemi pasur sukseset më të mëdha sa i përket rezultateve të boksierëve, e sidomos mund të cekim nga muaji shtator në të gjitha turnet ndërkombëtarë që janë në kalendarin zyrtar të EUBC-së dhe AIBA-s kemi marrë pjesë dhe nga asnjë turne nuk jemi kthyer duarthatë. Pra e cekim së pari nga Sarajeva jemi kthyer me tri medalje të arta, dhe me një pehar si boksieri me teknik, atëherë kemi pasur edhe gongun e artë në Shkup, ku ashtu kemi pasur dy medalje të arta dhe dy të argjendta dhe kemi pasur çiftin luftarak, boksierin. Pas atij kemi pasur edhe ‘Adem Jasharin’ ku pjesëmarrës kanë qenë tetë shtete me boksier cilësorë”, u shpreh fillimisht Demolli.

Ai e cilësoi Kampionatin Ballkanik si garën ku boksierët nga Kosova kanë arritur rezultatin më të mirë gjatë këtij viti. Kosova në këtë kampionat u rendit si vendi i dytë me më shumë medalje të fituara pas Turqisë, e cila ishte nikoqire e këtij edicioni të këtij kampionati.

Demolli: Kampionati Ballkanik, gara ku kemi arritur më së shumti suksese

“Në mbylljen e këtij viti, rezultati më i madh ka qenë javën e kaluar në Kampionatin Ballkanik dhe mund ta quaj edhe desert i fitoreve dhe suksese për arsye se ishim pjesëmarrës me pesë boksierë, katër femra dhe një mashkull dhe u kthyem me pesë medalje. Donjeta Sadiku ishte medaliste e artë dhe kampione ballkanike, Shpëtim Bajoku dhe Besart Pireva fituan medaljen e argjendtë dhe Patriot Behrami dhe Bashkim Bajoku medaljen e bronztë, dhe ky ishte suksesi më i madh jo vetëm për Kosovën por edhe në kampionat Ballkanik, pas Turqisë”, vazhdoi ai.

Mirëpo si shumica e federatave sportive në Kosovës, edhe Federata e Boksit kishte probleme financiare gjatë vitit që po lëmë pas.

Këtë e thotë edhe vet Demolli, i cili u shpreh tejet i zhgënjyer me kategorizimin e sportit të boksit në kategorinë C. Ai theksoi se ky sport meriton të jetë më lartë dhe që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit , të ndajë një shumë më të madhe se sa që ishte në vitin që shkoi.

Demolli: Kemi pasur shumë probleme financiare

“Gjatë tërë vitit kemi pasur probleme sa i përket financimit të buxhetit. Të gjitha garat i kemi zhvilluar me para të huazuara dhe pasi jemi kthyer kemi marrë nga ministria TM1, TM2, TM3 dhe TM4, ku nuk na mjaftojnë. Ne kemi qenë në kategorinë C. Mund të them lirisht se është marre për sport të boksit i cili, pas xhudos është sporti më i suksesshëm në Kosovë, të jetë në kategorinë C, ku i kemi 55 mijë euro për gjithë vitin. I kemi zhvilluar 39 gara gjatë gjithë vitit, 27 gara i kemi ndërkombëtare dhe me 50 mijë euro, federatat tjera i bëjnë dy gara dhe dy përgatitje jo më shumë”, deklaroi Demolli.

Demolli gjithashtu shpreson që gjatë vitit 2020, boksierja më e mirë nga Kosova, Donjeta Sadiku, e cila është edhe bursiste e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, të arrijë normën olimpike, si dhe të përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Demolli: Shpresoj që Donjeta të marrë pjesë në “Tokio 2020”

“Gjasat më të mëdha i kemi pasur tek Donjeta Sadiku, këtë e ka tregu edhe më parë ku ka arritur të jetë nënkampione e botës, kampione e Evropës dhe tanimë kampione e Ballkanit, edhe pse ka pasur vështirësi vitin e kaluar pas Minskit, garat evropiane ku e lëndoi dorën dhe ka pasur një pauzë, mirëpo në Kampionatin Ballkanik tregoi se është në formën e duhur dhe tregoi se u rikthye Donjeta në formën e mëparshme, ajo Donjeta që ka qenë dhe tani besojmë që do të plotësojë normën dhe do të paraqitet në Lojërat Olimpike ‘Tokyo 2020’”.

Kujtojmë që boksi është sporti ku Kosova edhe më herët ka pasur shumë suksese të mëdha në garat ndërkombëtare, duke mos harruar sukseset e arritura nga legjendat si Mehmet Bogujevci dhe Aziz Salihu, suksese që priten të pasohen edhe nga boksierët e rinj të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat