Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Mehmet Bogujevci, po qëndron në shtëpi dhe po ruhet nga ky armik i padukshëm, virusi korona. Nënkampioni i botës në vitin 1978 pothuajse nga 14 marsi është vendosur në shtëpi dhe lutet që të kalojë kjo gjendje e jashtëzakonshme.
Vëllai i tij, Shefkiu, ish boksier, aktualisht selektor, ka një javë që është në karantinë në konviktin e studentëve në Prishtinë.
Ai u vendos për 14 ditë në karantinë së bashku me kombëtaren e boksit të Kosovës, pas kthimit nga Londra, ku morën pjesë në garat evropiane kualifikuese për Lojërat Olimpike.
Mehmeti padyshim se është paksa i mërzitur edhe për gjendjen që po kalojnë si shtet dhe tërësisht globi, por edhe kombëtarja që është në karantinë.