Povetkin-Whyte gati për revanshin

Boksi

Povetkin-Whyte gati për revanshin

Më: 25 mars 2021 Në ora: 11:41
Povetkin-Whyte gati për revanshin

Pasi fitoi duelin e parë ndaj Dillian Whyte më 22 gusht 2020, boksieri rus Alexander Povetkin synon të përsëritë të njëjtin rezultat edhe në përballjen e dytë mes tyre, sfidë që zhvillohet këtë fundjavë (27 mars) në Gjibraltar. Një sfidë që pritet me interes, pasi është i vlefshëm për titullin e përkohshëm të botës në kategorinë WBC.

Povetkin e ka të qartë se i duhet ta mbrojë atë gjerdan, në mënyrë që të ketë mundësi të duelojë në të ardhmen për titullin kampion të kësaj bote, mes fituesit që do të dalë nga sfida Joshua-Fury. “Ky është një tjetër test për mua që dua ta kaloj me sukses. E njohim mirë njëri-tjetrin, por jam gati të triumfoj sërish, ashtu si herën e parë”, tha Povetkin.

Rusi, 36 fitore, 2 humbje e 1 barazim në karrierën e tij, e fitoi duelin e parë mes tyre me “KO teknik” në raundin e pestë. Ndërsa Whyte numëron 27 fitore e 2 humbje në karrierë.

Pavarësisht humbjes në sfidën e parë, britaniku Whyte synon fitoren në këtë revansh. “Është më e pakta që mund të bëj. Nuk do të përsërit gabimet e sfidës së parë dhe jam përgatitur mirë. Nuk ka qenë e lehtë të kaloja atë ngërç pas humbjes, por fitorja është alternative e vetme për të bërë ëndrrat e mia realitet”, tha Whyte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat