Ish-kampionia e botës gati të rikthehet

Boksi

Ish-kampionia e botës gati të rikthehet

Më: 28 tetor 2022 Në ora: 15:39
Ish-kampionia e botës gati të rikthehet

Sportistja polake Joanna Jedrzejczyk së shpejti do të hyjë në “Hall of Fame” (Hollin e Famës) të UFC. Në qershor të këtij viti, në eventin UFC-275, ish-mbretëresha e peshës “straweight”, zhvilloi duelin e fundit në kafaz.

Tifozët ishin të përgatitur për revanshin e saj të madh me Zhang Weili, duke parashikuar një kaos të ngjashëm me atë të prodhuar në duelin e marsit 2020. Zhang dominoi dhe mposhti Jedrzejczyk me nokaut. Pas asaj sfide, Jedrzejczyk deklaroi lamtumirën nga sporti, por pas 6 muajsh ndjehet sikur i ka mbetur shumë për t’i dhënë në artet marciale mikse (MMA) si luftëtare.

“Ndihem kaq e re, ndihem sikur mund të luftoja sepse stërvitja për sfidën e fundit ishte me të vërtetë më e mira e jetës sime. Është e vështirë. Doja të bëhesha kampione e UFC-së edhe një here para se të hyj në “Hall of Fame”, pasi nuk jam ende një plakë që shkon në pension. Do të jetë një nder, por të shohim. Ndoshta do të më befasojnë një ditë, por nuk mendoj se jam gati të bëhem gjyshe”, tha Jedrzejczyk për MMA Junkie.

Jedrzejczyk, 35 vjeçe, është kampionia e dytë e UFC-së në peshën “strawweight” dhe mbrojti titullin pesë herë me një rekord të pamposhtur përpara se ta humbiste atë. Para sfidës së fundit, Jedrzejczyk nënshkroi një marrëveshje të re me UFC. “Mendova se do të luftoja më shumë, pasi para ndeshjes sime të fundit nënshkrova një marrëveshje të re me UFC-në për gjashtë ndeshje,” tha Jedrzejczyk.

“Ai ishte vendimi i duhur për atë moment. Gjithmonë kam dashur të tërhiqem sipas rregullave të mia, por mund të vazhdoj të dueloj. Jam në formë dhe kam thënë se dua të jem biznesmene dhe nënë, sepse 19 vitet e fundit kam udhëtuar, stërvitur dhe punuar aq shumë sa nuk kam pasur jetë personale. Nuk më pëlqen t’i lë gjërat në gjysmë të rrugës, pasi gjithnjë jap 100%. Të jesh në Hollin e Famës është një gjë e rëndësishme, por dua të shkoj si kampione”, tha polakja, që mund të rikthehet në kafaz vitin tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat