Debate
Turpi nuk ka kufij! Mëkat i madh që iu mbyllen dyert kombëtares së Kosovës, që të marrë pjesë në Kampionatin Botëror në boks për femra (seniore), që mbahet në New Delhi të Indisë. Shteti indian u tregua joserioz dhe tradhtoi Federatën e Boksit Botëror (AIBA) dhe atë të Kosovës! Tradhti pas tradhtie. Para një viti përfaqësuesit e federatës dhe të shtetit indian ishin zotuar se nuk do të bëjnë pengesa për Kosovën, kështu ju ishte premtuar AIBA-s. Sepse ndryshe ata nuk do të mund ta merrni organizimin e një ngjarje të madhe sportive.
Ndodhi tradhtia! Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë veproi në mënyrë më të keqe të mundshme, refuzoi vizat për Kosovën, sipas tyre nuk e njohin Flamurin dhe Shtetin e Kosovës. E tëra bota është ngritur në këmbë, duke shkruar edhe mediat prestigjioze botërore, por kjo nuk i la përshtypje Ministrisë së Punëve të jashtme të Indisë. Indianët vendosen kokë në vete dhe për llogari të dikujt tjetër, apo i bën një shërbim Serbisë! Federata e Boksit e Kosovës kishte bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe kishte aplikuar me kohën e caktuar, por kot së koti! Indisë i pengon Flamuri i Kosovës dhe nuk e njeh shtetin tonë!
As vet nuk e din ata arsyen përse janë kundër Kosovës, por kryekëput i pengon Kosova! Ky është turp i madh për një shtet si India dhe që nuk ju qëndron në fjalët e saja që i kishte dhënë para një viti. Loja politike nuk ka kufij, sepse si është e mundur që Federata e Boksit e Indisë, Komiteti Olimpik i Indisë dhe Qeveria indiane të kërkojnë lëshimin e vizave, kurse Ministria e Punëve të Jashtme indiane mos t’i lëshojë vizat. Këto janë pisllëqe politike, në vijën zinxhirore të shtetit indian! Unë të them: lësho vizat, por jua atje mos i lëshoni. AIBA u dash të anulojë këtë garë dhe ta përjashton Indinë nga mekanizmat ndërkombëtar. Sepse kjo është një shkelje flagrante e rregullave sportive, diskriminim i një sportisteje dhe moslejimi i të drejtës së një shtetit që të garojë në Kampionatin Botëror.
Federata e Boksit e Kosovës është e barabartë me të gjitha federatat e shteteve tjera dhe të drejtën e pjesëmarrjes e kanë si të gjitha shtetet tjera, por një Indi që nuk ka kurrfarë kriteri dhe vepron për llogari tjera, pengon shtetin e Kosovës, ky është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm. Ramadan Selimi, kryetar i Federatës së Boksit të Kosovës, së bashku me Mehmet Bogujevcin, sekretarin e përgjithshëm dhe Latif Demolli zëdhënës dhe gjyqtar ndërkombëtar, luftuan deri në pikën e fundit, por Ministria e Punëve të Jashtme të Indisë nuk lejoi të pajisen me viza delegacionin tonë. Ky është një turp në shekullin 21. Një akt primitiv dhe tronditës jo vetëm për botën sportive.