Ushtria kolumbiane vret udhëheqësin disident, Rodrigo Cadete

Bota

Ushtria kolumbiane vret udhëheqësin disident, Rodrigo Cadete

Më: 3 shkurt 2019 Në ora: 17:34
Foto ilustrim

Ushtria e Kolumbisë ka njoftuar se e ka vrarë njërin nga udhëheqësit e një fraksioni të organizatës “Farc”, të cilët kanë refuzuar të përfshihen në procesin paqësor mes qeverisë dhe organizatës. Rodrigo Cadete dhe nëntë militantë u vranë gjatë një operacioni ushtarak në rajonin e Kaquetas.

Ministri i brendshëm kolumbian, Guillermo Botero, tha se Cadete ka bërë përpjekje që t’i bashkojë rreth 1700 anëtarët të organizatës “Farc”, të cilët nuk i kishin dorëzuar armët. Besohet se shumica nga ta veprojnë në xhungla, ku luftojnë me grupet tjera të armatosura. Megjithatë, shumica e anëtarëve të kësaj organizate e kanë respektuar marrëveshjen e paqes, e cila ishte arritur në vitin 2016 dhe i kishte dhënë fund një konflikti të gjatë.

Rodrigo Cadete kishte marrë pjesë në negociatat për paqe, të cilat ishin mbajtur në Havana të Kubës dhe të cilat kishin zgjatur gati katër vjet, por kishte refuzuar ta pranojë marrëveshjen e ofruar. Ai vlerësohej si lideri i dytë më i rëndësishëm disident i këtij grupi, pas Gentil Duartes, i cili ishte përjashtuar nga organizata në vitin 2016 për shkak të refuzimit për t’u çarmatosur.

Organizata “Farc” është themeluar në vitin 1964. Ajo kishte për qëllim që ta rrëzojë qeverinë e atëhershme dhe ta instalojë regjimin marksist. Themeluesit e saj ishin disa fermerë, të cilët ishin bashkuar për ta kundërshtuar nivelin e lartë të pabarazisë sociale në atë kohë. Rreth tetë milionë njerëz janë vrarë, janë zhdukur ose janë zhvendosur gjatë konfliktit që zgjati një gjysmëshekull, shkruan “BBC”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat