Një mijë fëmijë po infektohen me kolerë për çdo ditë në Jemen

Bota

Një mijë fëmijë po infektohen me kolerë për çdo ditë në Jemen

Më: 26 mars 2019 Në ora: 14:49
Ilustrim

Deri tash janë raportuar 120 mijë raste të infektimit me këtë sëmundje dhe 234 persona kanë vdekur. Përballja me këtë sëmundje po bëhet më e vështirë për shkak se në Jemen po zhvillohet një luftë që filloi para katër vjetësh. Gati një e treta e rasteve të shënuara nga 1 janari deri më 22 mars janë fëmijë nën moshën 15 vjeçare. Ushqimi i keq po ndikon që shumë fëmijë të rrezikon nga vdekja.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare ka thënë se kjo rritje po vërehet më shumë në gjashtë rajone, përfshirë portin e Hodeidas dhe provincën e Sanas. Sipas këtij institucioni, reshjet e hershme të shiut mund të kenë ndikuar në rritjen e rasteve me sëmundjen e kolerës.

“Situata po përkeqësohet për shkak të mirëmbajtjes së dobët të sistemit të kanalizimit në shumë zona të prekura, përdorimit të ujit të kontaminuar për ujitje të tokave dhe për shkak të lëvizjes së popullsisë”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Kombeve të Bashkuara.

Vetëm gjatë dy javëve të fundit janë shënuar 40 mijë raste të reja. Kjo shifër paraqet rritje prej 150 për qind në krahasim me rastet e muajit të kaluar. Organizata për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, “Save the Children”, ka thënë se situata aktuale është alarmuese, shkruan “The Guardian”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat