Rusia nxjerr raketat në Sheshin e Kuq

Bota

Rusia nxjerr raketat në Sheshin e Kuq

Më: 11 maj 2019 Në ora: 00:13
Rusi

Rusët kujtuan 74-vjetorin e fitores së Luftës së Madhe Patriotike mbi nazizmin me një paradë ushtarake që i shfaqi botës armatimin modern. Në Sheshin e Kuq parakaluan nga tanket moderne deri te raketat ndërkontinentale. Në fjalimin e mbajtur para kombit, presidenti Vladimir Putin, tha se vendi do të luftojë terrorizmin, neonazizmin dhe ekstremizmin.

Rusia kremtoi të enjten 74-vjetorin e fitores së madhe sovjetike mbi nazizmin, ndërkohë dhjetëra e mijëra veta marshuan në qendrën e Moskës me portretet e familjarëve të tyre në duar që luftuan në Luftën e Dytë Botërore.

Edhe presidenti rus Vladimir Putin marshoi në Sheshin e Kuq me fotografinë e të artit, që gjithashtu quhej Vladimir.

Tradita e kërkon që pjesëmarrësit në paradën e Ditës së Fitores të marrin me vete portretet e ushtarëve të rënë në luftë ose që rezultojnë ende të zhdukur.

Mbi 13 mijë ushtarakë morën pjesë në paradë, gjatë së cilës u prezantuan mbi 130 armatime moderne dhe pajisje ushtarake që u paraprinë nga tanket e modelit T-34 dhe pasoheshin nga raketat balistike Iskander-M dhe raketat ndërkontinentale Yars RS-24.

Në fjalimin e mbajtur para kombit nga Sheshi i Kuq, presidenti Vladimir Putin, tha se Dita e Fitores, shënon “fitoren ndaj fashizmit dhe ndëshkimin e nazistëve për të gjitha mizoritë e tyre”.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për ushtarët që mbrojtën atdheun e tyre.

Kreu i Rusisë theksoi se Moska mbron me vendosmëri heronjtë e vërtetë të Luftës së Madhe Patriotike dhe e cilësoi këtë një “detyrë të shenjtë” për të cilën nuk duhet të lejohet shtrembërimi i ngjarjeve apo tradhtia ndaj paraardhësve.

Ndërkohë, Putini shtoi se Rusia do të vazhdojë të zgjerojë aftësitë e saj të mbrojtjes dhe do të punojë me vendet e tjera për të luftuar terrorizmin, neonazizmin dhe ekstremizmin.

Image
Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat