Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka konfirmuar se do të takohet me liderin e Koresë Veriore, Kim Jong-un, në zonën e çarmatosur kufitare mes Koresë Veriore dhe Koresë Jugore.
Takimi i pashembullt në zonën e çarmatosur vjen pas postimit të presidentit amerikan në Twitter, ku kishte thënë se ia ka bërë një ftesë spontane për Kim Jong-unin. Përndryshe, presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, tha se ata do ta bëjnë një shtrëngim duarsh për paqe.
Në anën tjetër, zyrtarët e Koresë Veriore ende nuk kanë dhënë komente për këtë takim. Ky takim pritet t’i ngjallë shpresat për fillimin e bisedimeve për armët bërthamore të vendit komunist.
Takimi i planifikuar për të dielën do të jetë i treti brenda një periudhe pak më të gjatë se një vit dhe i pari që nga samiti i dështuar i Vietnamit në muajin shkurt.
Gjatë një konference për gazetarë në Seul të Koresë Jugore, Trump tha se ai dhe lideri i Koresë së Veriut e kanë ndërtuar një marrëdhënie shumë të mirë dhe mezi pret ta takojë atë përsëri.
“Takimi do të jetë shumë i shkurtër, praktikisht një shtrëngim duarsh, por kjo është në rregull. Një shtrëngim duarsh do të thotë shumë”, tha ai.
Përndryshe, asnjë president i Shteteve të Bashkuara nuk e ka vizituar zonën e çarmatosur kufitare mes dy Koreve, shkruan “BBC”.