Irani përjashton bisedimet dypalëshe me Shtetet e Bashkuara

Bota

Irani përjashton bisedimet dypalëshe me Shtetet e Bashkuara

Më: 3 shtator 2019 Në ora: 10:51
Hassan Rouhani

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka thënë se vendi i tij kurrë nuk do të zhvillojë bisedime dypalëshe me Shtetet e Bashkuara, por ato mund të bëhen pjesë e bisedimeve shumëpalëshe me palët e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nëse amerikanët ia ndërpresin sanksionet Iranit.

“Asnjë vendim nuk është marrë për bisedime me Shtetet e Bashkuara, ndonëse ka pasur shumë oferta për negociata. Sidoqoftë, përgjigja jonë gjithmonë do të mbetet negative”, tha Rouhani gjatë një seance të kuvendit, e cila u transmetua në radion shtetërore.

“Nëse Amerika i largon të gjitha sanksionet, atëherë, si më herët, ky shtet mund të bëhet pjesë e bisedimeve mes Tehranit dhe palëve të tjera, të cilat janë pjesë e marrëveshjes së vitit 2015”, shtoi ai gjatë fjalimit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndonëse ka thënë se po i bën presion maksimal Iranit, ka bërë ofertë që të takohet me krerët e këtij shteti dhe të zhvillojë bisedime dypalëshe pa parakushte për t’i dhënë fund tensioneve mes dy vendeve.

Fuqitë evropiane janë përpjekur t’i zbusin tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe ta ruajnë marrëveshjen bërthamore përmes mbrojtjes së ekonomisë së Iranit nga sanksionet amerikane, shkruan “Reuters”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat