Mjekët indianë ia heqin një pacienti veshkën prej 7.4 kilogramësh

Bota

Mjekët indianë ia heqin një pacienti veshkën prej 7.4 kilogramësh

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 09:11
Foto

Mjekët indianë ia kanë hequr një pacienti veshkën që kishte peshë të jashtëzakonshme prej 7.4 kilogramësh. Besohet që kjo është veshka më e rëndë që i është hequr ndonjë pacienti në Indi, sepse ky organ zakonisht peshon 120 deri në 150 gramë.

Pacienti vuante nga një sëmundje e quajtur sëmundja policistike autosomale dominante, që bën që në veshkë të rriten shumë cista.

Një mjek i përfshirë në këtë operacion tha se veshkat e mëdha janë të zakonshme te pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje.

“Ky pacient ka pësuar infeksion të madh që nuk ka mundur të luftohet me antibiotikë dhe përmasat e mëdha të veshkës po i shkaktonin pacientit vështirësi në frymëmarrje, prandaj ne nuk patëm zgjidhje tjetër pos t’ia largojmë veshkën”, tha Dr.Sachin Kathuria.

Ndonëse mjeku tha se prisnin të shihnin një veshkë të madhe, madhësia e organit i befasoi edhe ata. “Veshka tjetër e tij është edhe më e madhe”, tha ai për BBC-në.

Sipas librit të rekordeve “Guinness”, veshka më e rëndë që i është hequr një pacienti peshonte 4.5 kilogramë. Megjithatë urologët kanë raportuar për veshka edhe më të rënda, përfshirë atë të një pacienti në Shtetet e Bashkuara, e cila peshonte 9 kilogramë, shkruan “BBC”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat