Ukraina përfiton 5.5 miliardë dollarë hua nga FMN-ja

Bota

Ukraina përfiton 5.5 miliardë dollarë hua nga FMN-ja

Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 09:51
Kristalina Georgieva

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se institucioni që ajo e drejton ka arritur marrëveshje me Ukrainën për një program trevjeçar të huas prej 5.5 miliardë dollarësh.

Georgieva tha përmes një deklarate se marrëveshja është arritur pas një bisede shumë konstruktive me telefon me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në të cilën ajo e përgëzoi liderin e ri për reformat që i ka bërë muajve të fundit.

Ekonomistja bullgare e mori postin e shefes së Fondit Monetar Ndërkombëtar më 1 tetor, ndërsa Zelenskiy erdhi në krye të presidencës ukrainase më 20 maj të këtij viti, pas fitores në zgjedhjet presidenciale kundër ish-presidentit Petro Poroshenko.

“Gjatë bisedës, e përgëzova presidentin për përparimin mbresëlënës që ai dhe qeveria e tij e kanë bërë në muajt e kaluar për zhvillimin e reformave dhe vazhdimin e politikave të shëndosha ekonomike”, thuhet në deklaratën e shefes së FMN-së.

Sipas saj, kjo hua do të zbatohet plotësisht me kushtin që Ukraina ta forcojë sundimin e ligjit, ta zhvillojë integritetin e sistemit gjyqësor dhe shmangien e interesave në ekonomi.

Sipas organizatës “Transparency International”, korrupsioni në Ukrainë është i lartë. Ky shtet renditet në vendin e 120-të në listën me 180 shtete sa i përket luftimit të korrupsionit, shkruan “Free Europe".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat