“Lufta” e miliarderëve, Elon Musk thumbon Jeff Bezos – gjithçka filloi për shkak të një fjalie

Bota

“Lufta” e miliarderëve, Elon Musk thumbon Jeff Bezos – gjithçka filloi për shkak të një fjalie

Më: 5 qershor 2020 Në ora: 12:37
Elon Musk dhe Jeff Bezos

Miliarderi Elon Musk dhe Jeff Bezos kanë “luftuar” në Twitter, pasi që Musk ka vlerësuar se kompaninë e njeriut më të pasur në botë, Amazon duhet “thyer”.

Reagimi i Muskut pasoi pasi që shkrimtari Alex Berenson njoftoi se nuk i është mundësuar që në platformën më të madhe në botë të shitjes online, të jetë e qasshëm për blerje libri i tij më i ri për coronavirusin.

“Është çmenduri. Është koha që të thyhet Amazon. Monopolet janë të gabuara”, ka shkruar Musk në Twitter duke e etiketuar pronarin e Amazon. Jeff Bezos.

Megjithatë Amazon ka komentuar postimin e Musk, duke njoftuar se libri i Berensonit ishte bllokuar gabimisht dhe se tani është i qasshëm për blerje përmes Kindle.

“Vendimi nëse duhet ta vendosim në shitje apo jo librin nuk i takon Musk”, kanë shtuar nga Amazon.

E gjykuar nga mesazhi që Amazon i kishte dërguar Berensonin, kompania e kishte njoftuar se libri i tij nuk përkon me standardet e shitjes.

Musk dhe Bezos konsiderohen si disa nga njerëzit më të pasur në SHBA, por edhe në botë. Sipas Forbes, Bezos, aktualisht është njeriu më i pasur në botë me një pasuri që kap vlerën e rreth 113 miliardë dollarë.

Gjithashtu Musk është anëtar i klubit të miliarderëve, ku pasuria e tij vlerësohet të jetë rreth 37 miliardë dollarë.

Por, kjo nuk është hera e parë që dyshja grinden sa i përket të arriturave të tyre.

Themeluesi i Tesla kishte deklaruar se Bezos si pronar i Amazon është shumë pas tij, në tentimin për të ndërtuar rrjetin e satelitëve të internetit, duke pretenduar se kompania e tij Star Link është themeluar 8 vite para asaj të Bezos – Blue Origin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat