COVID-19, përmirësim në Evropë, ndërsa rekord i ri botëror shënohet në Indi

Bota

COVID-19, përmirësim në Evropë, ndërsa rekord i ri botëror shënohet në Indi

Më: 6 shtator 2020 Në ora: 20:34
Foto ilustrim

Ministri i Shëndetësisë në Francë, Olivier Bogillot, tha se vaksina kundër koronavirusit do të kushtojë më pak se 10 euro.  Gjatë deklaratës së tij për media u njoftua gjithashtu se vendi numëron 8 mijë e 550 raste të reja të të infektuarve dhe 12 viktima në 24 orët e fundit. 

Më pak raste të reja njoftoi Spanja e cila tanimë ka zyrtarisht më shumë se gjysmë milioni të prekur me COVID-19 që prej fillimit të epidemisë.

Më mirë paraqitet situata edhe në Britaninë e Madhe. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar. Vendi njoftoi se në 24 orët e fundit u konfirmuan mbi 1 mijë e 800 raste të reja.

Ndërkohë në Kroaci, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin kryesor të Zagrebit në protesta kundër masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Kroatët sfiduan autoritetet me pankarta në duar ku shkruhej “gjithçka është një gënjeshtër, hiqni maskën, fikni televizorin dhe jetoni jetën si doni”.

Në Itali, ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza njoftoi se ka mundësi që dozat e para të vaksinës do të dorëzohen para vitit 2021 dhe të parët që do e marrin atë janë personeli mjekësor dhe të moshuarit që vuajnë nga sëmundje të tjera.

Speranza nuk la pa komentuar edhe protestat në Romë kundër masave të ndërmarra nga autoritetet, duke i cilësuar si të pakuptimta duke pasur parasysh që vendi numëron mbi 35 mijë viktima nga koronavirusi. 

India regjistroi një rekord të ri botëror teksa raportoi mbi 90 mijë raste të reja në 24 orët e fundit dhe mbi 1 mijë viktima.

Australia vendosi zgjatjen e periudhës së izolimit deri më 28 shtator në shtetin e Viktorias pas rasteve të reja me koronavirus, ndërsa ne SHBA ekspertët presin një kulm të ri të pandemisë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat