Australi: Jo hapje të kufijve në 2021 për shkak të COVID-19

Bota

Australi: Jo hapje të kufijve në 2021 për shkak të COVID-19

Më: 18 janar 2021 Në ora: 18:39
Ilustrim

Australia nuk do të rihapë kufijtë e saj për udhëtarët e huaj në vitin 2021 dhe kjo në varësi të fushatave të vaksinimit në mbarë botën, tha një zyrtar i lartë australian i Shëndetësisë.

Sekretari në Departamentin e Shëndetësisë, Brendan Murphy është një prej këshilltarëve kryesorë të qeverisë. Ai theksoi se nuk duhet shpresuar sivjet për rikthimin e një qarkullimi fluid në kufij.

“Unë mendoj se ne do të kemi akoma kufizime të konsiderueshme kufitare për pjesën më të madhe të vitit”, theksoi ai për BBC.

“Edhe pse një pjesë e madhe e popullsisë është vaksinuar, ne nuk e dimë nëse kjo do të parandalojë transmetimin e virusit”, shtoi ai.

“Dhe ka të ngjarë që masat e karantinës të qëndrojnë për ca kohë”, theksoi ai.

Si rezultat i këtyre kufizimeve, dhjetëra mijëra australianë mbeten të bllokuar jashtë vendit. Ata që kthehen duhet të paguajnë rreth 3.000 dollarë australianë (1,900 euro) për 14 ditët e karantinës së tyre në hotel.

Australia, e cila ka një popullsi prej rreth 25 milionë, ka arritur marrëveshje për të marrë doza të vaksinës antiCOVID-19 të grupit britanik AstraZeneca me Universitetin e Oksfordit dhe për atë të Pfizer/BioNTech./Atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat