Qeveria afgane dhe talibanët pajtohen për të përshpejtuar bisedimet për paqe

Bota

Qeveria afgane dhe talibanët pajtohen për të përshpejtuar bisedimet për paqe

Më: 19 mars 2021 Në ora: 14:27
Pamje nga konferenca për paqen afgane, e mbajtur në Moskë më 18 mars.

Një zyrtar i lartë afgan ka thënë se Qeveria e Afganistanit dhe talibanët janë pajtuar në Moskë që të tentojnë të përshpejtojnë bisedimet, me qëllim të përfundimit të disa dekadave të luftës në këtë shtet.

Takimi i 19 marsit ka ardhur pas konferencës ndërkombëtare, që është zhvilluar në kryeqytetin e Rusisë një ditë më parë, për procesin e paqes afgane, dhe vetëm gjashtë javë para afatit të fundit për Shtetet e Bashkuara që të tërheqin trupat ushtarake.

Konferenca ka pasur qëllim të jetësojë negociatat që kanë nisur në shtator të vitit të kaluar në mes të Qeverisë afgane dhe talibanëve, të cilat janë ndalur pas akuzave të qeverisë, se kryengritësit kanë bërë shumë pak për të ndalur dhunën.

Abdullah Abdullah, udhëheqës i Këshillit Kombëtar të Afganistanit për Pajtim, i ka thënë agjencisë ruse të lajmeve RIA, se palët nuk kanë diskutuar ndonjë çështje specifike kur janë takuar më 19 mars.

Mirëpo ai ka thënë se ekipi i Qeverisë afgane ka shprehur “gatishmëri për të përshpejtuar procesin e paqes” dh se talibanët janë deklaruar njëjtë.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk shfrytëzohet kjo mundësi për paqe, asnjëra palë nuk do të përfitojë.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, pas bisedimeve të 18 marsit, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina dhe Pakistani u kanë bërë thirrje palëve të përfshira në konflikt “që të nisin menjëherë diskutimet për çështjet thelbësore për zgjidhje të konfliktit”.

Në mesin e këtyre çështjeve përfshihen “krijimi i një të ardhmeje paqësore dhe shtet stabil afgan, krijimi i një rrugë politike që çon në qeveri gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për armëpushim të përhershëm”.

Takimi i Moskës ka qenë një prej tre konferencave ndërkombëtare që janë planifikuar të mbahen para afatit të fundit të 1 majit, për tërheqjen e trupave amerikane dhe të atyre të NATO-s nga Afganistani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat