Vazhdon saga me vaksinën AstraZeneca

Bota

Vazhdon saga me vaksinën AstraZeneca

Më: 23 mars 2021 Në ora: 17:54
Një dozë e vaksinës AstraZeneca

Zyrtarët amerikanë thanë se rezultatet e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, të publikuara të hënën, mund të përfshijnë “informacione të vjetruara”.

Kompania britanike/suedeze, AstraZeneca, e cila ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, tha një ditë më herët se të dhënat e një studimi në SHBA, tregojnë se vaksina e saj është 79% efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga koronavirusi dhe 100% efektive në parandalimin e njerëzve nga të sëmurët rëndë.

Por, në një reagim të pazakonshëm publik, Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA tha se AstraZeneca mund të ketë lëshuar informacione të vjetruara për testimin, duke dhënë një pamje “jo të plotë” të efikasitetit të vaksinës.

Javëve të fundit, përdorimi i vaksinës në fjalë është pezulluar edhe në disa vende të Evropës dhe më gjerë, për shkak të dyshimeve se ajo mund të shkaktojë mpiksje gjaku.

Megjithatë, Agjencia Evropiane e Barnave ka thënë pas një rishikimi se vaksina është e sigurt dhe efektive.

Vaksinës nuk i është dhënë ende drita jeshile në Shtetet e Bashkuara.

“Autorizimi dhe udhëzimet për përdorimin e vaksinës në Shtetet e Bashkuara do të përcaktohen nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, pas rishikimit të plotë të të dhënave nga komitetet e pavarura këshilluese”, tha në deklaratën e tij Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në SHBA.

Por, Anthony Fauci, i cili është drejtor i këtij instituti dhe këshilltar për koronavirusin i presidentit amerikan, Joe Biden, bëri përpjekje të sqarojë se debati ka të bëjë me trajtimin e të dhënave, e jo me efikasitetin e vaksinës.

“Kjo ka të ngjarë të jetë një vaksinë shumë e mirë”, tha Fauci për ABC News.

“Nëse i shikoni, të dhënat vërtet janë mjaft të mira, por kur i kanë vendosur në njoftimin për shtyp, nuk kanë qenë plotësisht të sakta”, tha Fauci.

AstraZeneca tha të martën se bëhet fjalë për një analizë fillestare, bazuar në të dhënat deri më 17 shkurtit, dhe se ajo do të ndajë analiza të mëtejshme me zyrtarët brenda 48 orëve./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat