Fillojnë bisedimet ”5+1” për Qipron

Bota

Fillojnë bisedimet ”5+1” për Qipron

Më: 28 prill 2021 Në ora: 12:35
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një takim jozyrtar i OKB për Qipron ka filluar në Gjenevë që synon të gjejë “një gjuhë të përbashkët” midis palëve për rinisjen e negociatave për një zgjidhje të qëndrueshme të mosmarrëveshjes së gjatë me dekada.

“Takimi jozyrtar ‘5+1’ për Qipron në Gjenevë tani ka filluar zyrtarisht me një takim dypalësh midis sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe presidentit të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Ersin Tatar”, theksoi zëdhënësja e shërbimit informativ të OKB-së (UNIC), Alessandra Velluci.

Velluci theksoi se këto bisedime më vonë do të ndiqen me një takim midis shefit të OKB-së dhe liderit të administratës së Qipros Greke, Nicos Anastasiades, në ‘Hotel InterContinental’ të Gjenevës, jo larg nga ‘Palais des Nations’, selia evropiane e OKB-së.

Guterres në mbrëmje organizon një pritje për krerët e delegacioneve me një prani të madhe të forcave policore rreth hotelit.

Delegacioni turk udhëhiqet nga ministri i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu.

Seanca plenare e bisedimeve do të fillojë nesër.

“Sekretari i përgjithshëm është realist, kjo është një çështje që ai e njeh mirë dhe më parë ai ka marrë pjesë në diskutime”, theksoi para bisedimeve, zëdhënësi i shefit të OKB-së, Stephane Dujarric.

Ai tha se Guterres vendosi të thërrasë këtë “takim jozyrtar” pas konsultimeve gjatë disa muajve të fundit.

“Siç kemi thënë vazhdimisht, qëllimi i këtij takimi jozyrtar do të jetë për të përcaktuar nëse ekziston një bazë e përbashkët për palët për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme të çështjes së Qipros brenda një horizonti të parashikueshëm”, shtoi Dujarric.

Takimi do të mbahet nga 27 prilli deri më 29 prill me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, respektivisht me Turqinë, Greqinë dhe Britaninë e Madhe./Atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat