Infermierët e Japonisë revoltohen nga thirrja për vullnetarë në Lojërat Olimpike të Tokios mes krizës Covid

Bota

Infermierët e Japonisë revoltohen nga thirrja për vullnetarë në Lojërat Olimpike të Tokios mes krizës Covid

Më: 3 maj 2021 Në ora: 12:00
Foto ilustrim

Organizatorët e Lojërave Olimpike të Tokios kanë shkaktuar zemërim në komunitetin mjekësor të Japonisë pasi ata kërkuan 500 infermierë që të dilnin vullnetarë në Lojërat e kësaj vere.

Kërkesa erdhi ndërsa Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) dhe organizatorët nxitën planet për të zhvilluar Lojërat, edhe pse pandemia e koronavirusit vazhdoi të përkeqësohej në vendin pritës, mes paralajmërimeve se aktiviteti mund të shkaktojë një ngarkesë të patolerueshme për punonjësit e lodhur të shëndetit.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve nga Covid-19 në Japoni kaloi kohët e fundit 10,000 - më e larta në rajon - ndërsa raportet e medias thanë se numri i njerëzve me simptoma të rënda Covid-19 arriti një rekord 1,050 në fundjavë.

Stafi mjekësor në Tokio dhe zona të tjera ku rastet po rriten thonë që fokusi i tyre profesional duhet të mbetet te pacientët me koronavirus dhe njerëzit me sëmundje të tjera të cilëve u është vonuar trajtimi për shkak të virusit.

Prefektura e Osaka, epiqendra e valës së katërt të Japonisë, i ka mbaruar shtretërit për pacientë të sëmurë rëndë dhe ka njerëz të tjerë që vuajnë nga virusi të detyruar të kalojnë orë të tëra duke pritur në ambulanca para se të pranohen.

Zyrtarët olimpikë thonë se 10,000 punëtorë mjekësorë do të nevojiten gjatë Lojërave, të cilat do të mbahen gjatë kohës më të nxehtë të vitit.

Por një kërkesë e fundit për Shoqatën Japoneze të Infermierisë për të dërguar 500 anëtarë të saj në Tokyo 2020 u prit me një valë zemërimi në mediat sociale nga infermierët të cilët thanë se ishin shumë të zënë për t’i kushtuar kohë Lojërave Olimpike.

Një mesazh në Tëitter nga një federatë lokale e sindikatave mjekësore  përshkruan kundërshtimin.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës Japoneze të Sindikatave të Punonjësve Mjekësorë, Susumu Morita, tha se pandemia duhet të marrë përparësi.

"Ne duhet të ndalojmë propozimin për të dërguar infermierë të cilët janë të përfshirë në luftën kundër një pandemie serioze të koronavirusit - për të dalë vullnetarë në Lojërat Olimpike," tha Morita në një deklaratë.

"Unë jam i zemëruar nga insistimi për të organizuar Lojërat Olimpike, pavarësisht rrezikut për shëndetin dhe jetën e pacientëve dhe infermierëve."

Megjithëse punëtorët mjekësorë ishin grupi i parë në Japoni që filluan të merrnin vaksina në mes të shkurtit, shumë prej tyre akoma nuk iu është dhënë doza e parë. Morita tha se personeli mjekësor i pambrojtur ka frikë nga kontraktimi i virusit gjatë trajtimit të pacientëve ose administrimit të vaksinave.

Deri më tani, më pak se 2% e popullsisë së Japonisë prej 126 milionë banorësh ka marrë të paktën një dozë - norma më e ulët midis vendeve të OECD.

"Përtej ndjenjës së zemërimit, unë u shtanga nga pandjeshmëria e kësaj kërkese", tha për Associated Press Mikito Ikeda, një infermiere në qytetin qendror të Nago. "Kjo tregon se sa lehtë po merret jeta njerëzore."

Kryeministri Yoshihide Suga, provokoi edhe ai zemërim kur sugjeroi që infermierët që kishin ndaluar punën, përfshirë edhe ata që po vuanin nga stresi dhe rraskapitja, mund të regjistroheshin për Lojërat e Tokyo 2020.

"Kam marrë vesh se shumë po pushojnë dhe kështu që duhet të jetë e mundur," tha ai javën e kaluar.

Komenti i tij nxiti kritika nga Yukio Hatoyama, një ish-kryeministër, i cili  reagoi në Twitter: “Tani njerëzit në Japoni mezi po kalojnë, duke menduar nëse do të vdesin nga koronavirusi apo si rezultat i rënies ekonomike. Dhe Osaka dhe vendet e tjera po kërkojnë që infermieret të ndihmojnë. A nuk kemi nevojë për infermiere për të punuar në qendrat e vaksinimit? "

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat