Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe bëhen zona transite për evakuimet nga Afganistani

Bota

Bahrejni dhe Emiratet e Bashkuara Arabe bëhen zona transite për evakuimet nga Afganistani

Më: 21 gusht 2021 Në ora: 11:35
Afganët duke pritur për t'u larguar nga Afganistani, përmes aeroportit të Kabulit

Bahrejni ka thënë se do të hapë aeroportet për fluturimet që evakuojnë njerëzit nga Afganistani, derisa Emiratet e Bashkuara Arabe kanë thënë se do të strehojnë përkohësisht refugjatët afganë, teksa Shtetet e Bashkuara po përballen me hapësira të mbingarkuara me të evakuuar në Katar.

Zhvillimet e 21 gushtit kanë ardhur një ditë pasi fluturimet evakuuese nga Kabuli janë ndalur përkohësisht për të lejuar pikat e dërgimit që të stabilizojnë situatën me personat e dërguar atje.

Hapësirat amerikane në bazën ajrore Al-Udeid në Katar janë mbushur shpejt, ndërkohë që Uashingtoni tenton të përfundojë më 31 gusht misionin e tërheqjes së forcave amerikane, të huaja dhe shtetasve afganë që mund të largohen nga Afganistani.

Bahrejni, ku gjendet flota e pestë e SHBA-së, ka thënë më 21 gusht se “do të lejojë fluturimet transite në Bahrejn”, derisa Emiratet e Bashkuara Arbane kanë thënë se do të strehojnë 5,000 afganë “para se ata të nisen në shtetet tjera”.

Dhjetëra shtetet janë pajtuar për të strehuar përkohësisht afganët, sipas Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, derisa dhjetëra të tjera janë pajtuar që të shërbejnë si pika transite për të evakuuarit.

Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në mesin e shteteve që janë pajtuar të strehojnë përkohësisht afganët, derisa të përfundojnë procedurat për pajisje me viza amerikane.

Skenat kaotike kanë vazhduar të shihen në Kabul më 21 gusht.

Gjashtë ditë pas pushtimit të Afganistanit nga militantë talibanë, rrugët e Kabulit që çojnë në aeroportin ndërkombëtar, kanë qenë të mbingarkuara nga njerëzit që tentojnë t’iu ikin kontrolleve të talibanëve, pas raportimeve se këta të fundit po kthejnë mbrapsht disa afganë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë më 20 gusht, se përpjekjet për evakuim “kanë qenë ndër më të vështirat në histori” dhe e ka pranuar se procesi i evakuimit është pezulluar për disa orë më 20 gusht, pasi shtetet që kanë pranuar afganët, kanë qenë të mbingarkuara me numrin e personave të pranuar.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat