Roca: "Pandemia Covid na mësoi se sa i rëndësishëm është aktivizmi i veprimtarëve vendorë"

Bota

Roca: "Pandemia Covid na mësoi se sa i rëndësishëm është aktivizmi i veprimtarëve vendorë"

Më: 3 tetor 2021 Në ora: 19:34
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Francesko Roka

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Francesko Roka, po merr pjesë në një seri veprimtarish të vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar.

Zoti Roka deklaroi për “Zërin e Amerikës” që Pandemia Covid nxori në dukje se sa të rëndësishëm janë faktorët vendorë gjatë krizave globale.

Ai shtoi se sfida më e madhe është tani ndryshimi i klimës.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Francesco Roka, ka ardhur në Tiranë jo vetëm për të festuar me vullnetarët shqiptarë 100 vjetorin e Kryqit të Kuq Shqiptar, por edhe për të nxitur donatorët vendorë dhe ata ndërkombëtarë, që të mbështesin veprimtarët e krizave humane përmes shembullit mbresëlënës të Shqipërisë.

“Nga pikëpamja globale, një mësim që na ka mësuar Pandemia COVID është rëndësia e faktorëve vendorë. Kryqi i Kuq dhe shoqëritë e sotme janë një pasqyrë e komuniteteve. Shohim këtu kaq shumë të rinj që stërviten për të ndihmuar njerëzit, dhe në raste krizash ata janë të parët që veprojnë. Ndaj është e rëndësishme që ata të jenë të mirëtrajnuar, të mirëpërgatitur, ta njohin komunitetin dhe të dinë anët e fshehta të shoqërisë, ku shpesh fshihen nevojat më të mëdha dhe mendoj se kjo është diçka që ka ndodhur në gjithë botën” - u shpreh zoti Roka.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq theksoi se vullnetarët janë shumë të rëndësishëm për të krjuar besim brenda komunitetit, donatorët nuk do të mungojnë dhe do të japin mbështetjen për komunitetin.

“Sfida jonë më e madhe përpara janë ndryshimet klimaterike. Në shumë vende të botës njerëzit e kanë të vështirë të mbijetojnë dhe kjo sjell konflikte, tensione, dhunë e këto shndërrohen në varfëri, refugjatë dhe mungesë e gjërave bazike jetësore. Klima po ndikon çdo ditë pak nga pak dhe shqetësimi im më i madh është se në shumë vende të botës shoqëritë nuk e kuptojnë sa i madh është ky kërcënim për të ardhmen. Çdo familje mendon për të ardhmen e fëmijëve të tyre, por nuk mendojnë për ndryshimet klimaterike që do t’i ndikojë jetën në të ardhmen. Prandaj është koha të veprojmë tani. Për fat të keq ne kemi filluar t’i shikojmë rezultatet e saj në zhdukjen e ishujve në Paqësor e Caraibe, ciklone, uragane, zjarre dhe sa të shpeshta kanë filluar të jenë. Prandaj është koha të veprojmë tani përballë kësaj sfide kryesore” - thotë zoti Roka.

Kryqi i Kuq po punon të krijojë kushtet dhe besimin për të pasur donatorët, që mbështesin punën e organizatës, shtoi ai, duke veçuar Kryqin e Kuq Shqiptar si shembull shumë të mirë.

Një numër i madh të rinjsh nga gjimnazet janë tashmë vullnetarë të Kryqit të Kuq, duke u bërë pjesa më jetike, më e angazhuar dhe më energjike e kësaj organizate humanitare me një histori shekullore, duke garantuar të ardhmen e saj./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat