Analiza në “The Guardian”/ Putin dhe Trump më bindën sa gabim e kuptuam shekullin e 21-të

Bota

Analiza në “The Guardian”/ Putin dhe Trump më bindën sa gabim e kuptuam shekullin e 21-të

Më: 13 mars 2022 Në ora: 21:54
Putin dhe Trump

Nacionalizmi po zhduket, demokracia është e pashmangshme, lufta bërthamore nuk mund të ndodhë… Ukraina po na tregon se “siguritë” e vjetra ishin të gabuara.

Nga Robert Reich

Ka shumë gjëra në lidhje me shekullin e 21-të që vërtet i kisha besuar, por pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin dhe zgjedhja e Donald Trump në 2016-ën më bënë të kuptoj se isha gabuar. Unë besoja se:

Nacionalizmi po zhduket

Besoja se globalizimi do të mjegullonte kufijtë, do të krijonte ndërvarësi ekonomike midis kombeve dhe rajoneve dhe do të shtrinte një kulturë moderne konsumatore dhe artistike në mbarë botën. Isha gabim. Si Putin ashtu edhe Trump e shfrytëzuan nacionalizmin ksenofobik për të ndërtuar pushtetin e tyre. Agresioni i Putinit ndezi gjithashtu një patriotizëm frymëzues mes ukrainasve.

Kombet nuk mund të kontrollojnë më atë që qytetarët e tyre dinë

Unë besoja se teknologjia dixhitale, përfshirë internetin, do ta bënin të pamundur kontrollin e flukseve botërore të informacionit dhe njohurive. Tiranët nuk mund t’i mbanin më njerëzit e tyre në errësirë ose t’i mashtronin me propagandë. Përsëri gabim. Trump mbushi mediat me gënjeshtra, ashtu si edhe Putini. Putin gjithashtu ka shkëputur qytetarët rusë nga e vërteta për atë që po ndodh në Ukrainë.

Kombet e përparuara nuk do të luftojnë më për territore gjeografike

Mendoja se në “ekonominë e re”, toka po bëhej më pak e vlefshme se njohuritë dhe inovacioni teknologjik. Ndaj besoja se konkurrenca midis kombeve do të ishte mbi zhvillimin e shpikjeve të fundit. Kisha vetëm pjesërisht të drejtë. Teksa aftësitë dhe inovacioni janë të rëndësishme, tokat ende ofrojnë akses në lëndët e para dhe të mbrojnë kundër agresorëve të huaj të mundshëm.

Fuqitë e mëdha bërthamore nuk do të rrezikojnë kurrë një luftë kundër njëra-tjetrës për shkak të “shkatërrimit reciprok”

Kisha besim se lufta konvencionale apo bërthamore ishte e paimagjinueshme. Kam frikë se kam gabuar. Putini tani po i drejtohet mjeshtërisë së rrezikshme bërthamore.

Qytetërimi nuk do të mbahet më kurrë peng nga njerëz të çmendur të izoluar me fuqinë për të bërë kërdinë

Unë supozoja se ky ishte një fenomen i shekullit të 20-të dhe se qeveritë e shekullit të 21-të, madje edhe ato totalitare, do të kufizonin tiranët. Trump dhe Putin më kanë bindur se kam gabuar.

Evolucioni i luftërave në kibernetike apo armët precize do të minimizojnë viktimat civile

Isha bindur nga specialistë të strategjisë së mbrojtjes se nuk kishte më kuptim që ushtritë të godisnin civilët. Krejt e gabuar. Viktimat civile në Ukrainë janë në rritje.

Demokracia është e pashmangshme

E kisha këtë besim që në fillim të viteve 1990, kur Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë dhe Kina ishte ende e varfër. Më dukej se regjimet totalitare nuk kishin më asnjë shans në “botën e re” të globalizuar të udhëhequr nga teknologjia. Sigurisht, diktaturat e vogla do të mbeteshin në disa rajone të botës, por moderniteti sillte demokracinë dhe demokracia – modernitetin.

Si Trump, ashtu edhe Putini më kanë treguar se sa gabim e kam pasur edhe për këtë.

Ukrainasit po tregojnë se përpjekjet e Trump dhe Putin në shekullin e 21-të për të kthyer mbrapsht akrepat e kohës, kërkojnë një demokraci mjaft të fuqishme për t’iu kundërvënë autokratëve si ata.

Ata po tregojnë gjithashtu me qartësi frymëzuese se demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Demokracia nuk është një sport spektatorësh. Nuk është ajo që bëjnë qeveritë. Demokracia është ajo që bëjnë njerëzit.

Ukrainasit po na kujtojnë se demokracia mbijeton vetëm nëse njerëzit janë të gatshëm të sakrifikojnë për të. Madje disa sakrifica duken mjaft të vogla. Juve mund t’ju duhet të qëndroni në radhë për orë të tëra për të votuar, siç bënë dhjetëra mijëra njerëz me ngjyrë në zgjedhjet e vitit 2020 në Amerikë.

Juve mund të duhet të marshoni dhe protestoni dhe madje të rrezikoni jetën në mënyrë që të tjerët të mund të votojnë, siç bënë udhëheqësit ikonë të të drejtave civile John Lewis dhe Martin Luther King.

Mund t’ju duhet të trokisni në qindra dyer për të bindur disa votues. Ose të mblidhni mijëra njerëz për të dëgjuar zërin tuaj apo të ngriheni kundër të fuqishmëve që nuk duan që zëri juaj të dëgjohet.

Mund t’ju duhet të bëni luftë për të mbrojtur demokracinë nga ata që do ta shkatërronin atë. Populli i Ukrainës po na kujton gjithashtu se demokracia është trashëgimia e vetme më e rëndësishme që kemi nga gjeneratat e mëparshme që e forcuan atë dhe që rrezikuan jetën e tyre për ta ruajtur.

Ajo do të jetë trashëgimia më e rëndësishme që do t’u lëmë brezave të ardhshëm, nëse nuk lejojmë që ajo të shtypet.

Putini dhe Trump më kanë bindur se kam gabuar se sa larg kishim arritur në shekullin e 21-të.

Teknologjia, globalizimi dhe sistemet moderne të qeverisjes nuk i kanë ndryshuar mënyrat e tiranisë.
Edhe unë, si miliona të tjerë në mbarë botën jam frymëzuar nga populli ukrainas, i cili po na mëson edhe një herë mësimet që dikur i dinim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat