Turqia pezullon gjyqin e sauditëve të pandehur për vrasjen barbare të gazetarit Kashogi

Bota

Turqia pezullon gjyqin e sauditëve të pandehur për vrasjen barbare të gazetarit Kashogi

Më: 7 prill 2022 Në ora: 14:30
Jamal Kashogi

Një gjykatë në Turqi vendosi sot të pezullojë gjyqin, që po zhvillohej në mungesë, ndaj 26 shtetasve sauditë të akuzuar për vrasjen barbare të gazetarit të Washington Post-it, Jamal Khashogi dhe t’ia përcjellë çështjen Arabisë Saudite. 

Jamal Kashogi, shtetas saudit, me banim në Shtetet e Bashkuara, që kishte kritikuar princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman, u vra më 2 tetor të vitit 2018, brenda konsullatës saudite në Stamboll.

Ai kishte hyrë atje për të marrë dokumentet që i duheshin për t’u martuar me të fejuarën e tij, shtetasen turke, Hatice Cengiz. Ai nuk u pa kurrë të dilte nga konsullata. 

Zyrtarët turq thonë se ai u vra dhe më pas trupi i tij u copëtua pjesë-pjesë nga një grup agjentësh sauditë të dërguar në Stamboll. Mes tyre ndodhej nje mjek i kriminalistikës, zyrtarë të zbulimit dhe sigurisë, si dhe individë të tjerë, që punonin për zyrën e princit të kurorës. Trupi i zotit Kashogi nuk e gjet kurrë. 

Grupet e të drejtave të njeriut thonë se transferimi i çështjes në Arabinë Sauditë nënkupton që vrasja, për të cilën dyshohet se ka dhënë urdhër princi i kurorës, nuk do të ndiçohet kurrë.

Vendimi po ashtu vjen në një kohë kur Turqia është në krizë ekonomike dhe po përpiqet të përmirësojë marrëdhëniet me një sërë vendesh në rajon, përfshi Arabinë Saudite.

Pushimi i çështjes në Turqi mund t’i hapë rrugën zgjidhjes së mosmarrëveshjeve midis këtyre dy vendeve, nga më të rëndësishmet në rajon, që u prishën pas Pranverës Arabe në vitin 2011, kur Turqia mbështeti lëvizjet islamike, si Vëllazëria Myslimane në Egjipt, një organizatë që Riadi e quan terroriste. Ende nuk ka reagim nga Arabia Saudite. 

Në kohën e vrasjes së gazetarit duket se Turqia e përgjonte Konsullatën Saudite dhe e ndau audio regjistrimin e vrasjes me CIA-n, mes të tjerëve. Agjencitë perëndimore të zbulimit dhe ligjvenës amerikanë kanë thënë se një operacion i një natyre të tillë nuk mund të kishte ndodhur pa dijeninë e princit të kurorës. 

Turqia e cila ishte angazhuar të zbardhte vrasjen, filloi hetimet dhe gjyqin në mungesë në vitin 2020, pasi Arabia Saudite nuk pranoi t’i ekstradonte të pandehurit. Mes të akuzuarve janë dy ish-ndihmës të princit. 

Disa prej të pandehurve dolën në gjyq me dyer të mbyllura në Arabinë Saudite dhe gjykata dënoi 5 zyrtarë të nivelit të mesëm me 20 vjet burg. 

Fillimisht gjykata kishte dhënë dënime me vdekje, por i zbuti dënimet pasi djali i Jamal Kashogit, Salah Kashogi, i cili jeton në Arabinë Saudite, tha se i kishte falur të dënuarit. Tre të tjerë morrën dënime më të lehta./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat