LIVE: Rrezik nga shpërthimi i luftërave të reja/ Rusia kërcënon seriozisht këtë shtet evropian – shkak NATO

Bota

LIVE: Rrezik nga shpërthimi i luftërave të reja/ Rusia kërcënon seriozisht këtë shtet evropian – shkak NATO

Nga: H.O. Më: 12 maj 2022 Në ora: 06:20 Përditësuar në ora: 23:47 më 12.05.2022
Automjetet ushtarake ruse të shkatërruara shtrihen në një deponi plehrash në Bucha, në periferi të Kievit, Ukrainë, të martën, 10 maj 2022. (AP Photo/Efrem Lukatsky)

​Blinken merr pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Berlin

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë në Berlin të shtunën për një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s ku do të diskutohet lufta në Ukrainë.

Perspektiva e Finlandës dhe Suedisë për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore pritet gjithashtu të diskutohet gjatë takimit.

Tema të tjera përfshijnë përgatitjet për samitin e NATO-s në Madrid në fund të qershorit dhe punën për një koncept të ri strategjik për aleancën e themeluar në 1949.

Blinken ka planifikuar gjithashtu të udhëtojë në Francë të dielën me përfaqësuesen e Tregtisë së SHBA-së, Katherine Tai dhe sekretaren e Tregtisë, Gina Raimondo.

Ligjvënësi republikan bllokon paketën e ndihmës për Ukrainën

Një paketë ndihme shumë miliarda dollarësh për Ukrainën nga qeveria amerikane nuk do të jetë gati të paktën deri në javën e ardhshme, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Presidenti Joe Biden i kishte kërkuar Kongresit që të dërgonte projektligjin, në të cili përfshihej ndihma ekonomike, humanitare dhe sigurie - në tryezën e tij këtë javë.

Udhëheqja e Kongresit kishte rënë dakord ta bënte këtë dhe projektligji i tyre, i cili është gati 7 miliardë dollarë më i madh se sa kërkoi presidenti muajin e kaluar, u vendos për një miratim të shpejtë.

Por të enjten, ligjvënësi republikan Rand Paul kundërshtoi atë që ai e quajti "një dhuratë për Ukrainën" dhe bllokoi votimin e shpejtë, duke argumentuar se paketa ka nevojë për një mbikëqyrës për të rreth disbursimit të fondeve.

Paul, i cili përfaqëson Kentakin në Senat, është një kundërshtar i shpeshtë në çështjet e jashtme dhe shpesh kundërshton dërgimin e dollarëve për luftërat jashtë shtetit në të cilat SHBA nuk është përfshirë.

“Ne nuk mund ta shpëtojmë Ukrainën duke dënuar ekonominë amerikane”, tha ai përpara votimit.

Projektligji ka të ngjarë të hidhet përsëri në votim në fillim të javës së ardhshme./A.SH

SHBA zotohet të mbështesë çdo lëvizje të Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n

Shtëpia e Bardhë tha se do të mbështeste çdo lëvizje të Finlandës dhe Suedisë për t'u bashkuar me NATO-n në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Finlanda konfirmoi se do të bëjë një ofertë të enjten, ndërsa Suedia pritet t'i bëjë jehonë këtij vendimi në ditët në vijim.

Vende të shumta e kanë mbështetur vendimin, duke përfshirë Gjermaninë, Francën dhe tani SHBA-në.

"Ne do të mbështesim një aplikim në NATO nga Finlanda dhe-ose Suedia nëse ata aplikojnë," tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

"Ne do të respektonim çdo vendim që ata marrin."/A.SH

Zbulohen jahte dhe pasuri të tjera të fshehura të 15 oligarkëve të sanksionuar rus në Spanjë

Mariano García Fresno, kreu i njësisë kundër pastrimit të parave, tha se pas pushtimit rus të Ukrainës, oligarkët u përpoqën të transferonin aksionet në disa kompani te të afërmit dhe bashkëpunëtorët për të shmangur konfiskimin e tyre, raporton reuters.

Pasi hetuan më shumë se një mijë emra në miliona transaksione të kryera në Spanjë që nga viti 2004, zyra e tij zbuloi se oligarkët e sanksionuar kishin aksione në të paktën dhjetë kompani spanjolle dhe tre kompani të huaja.

Ai ia përcolli të dhënat ministrisë së financave, kështu që qeveria konfirmoi në fund të muajit prill se kishte sekuestruar para nga fondacione dhe llogari bankare të lidhura me pesë persona në listën e sanksionuar, si dhe tre jahte luksoze dhe 23 prona.

Kompanitë e lidhura me oligarkët rusë zotërojnë 35 prona në Spanjë, duke përfshirë shtëpi luksoze dhe llogari dhe aksione në kompani në Spanjë dhe pjesë të tjera të Evropës.

Ushtria e Ukrainës thotë se i ka vënë flakën anijes së marinës ruse

Forcat ukrainase kanë dëmtuar një anije logjistike të marinës ruse në Detin e Zi, duke i vënë flakën asaj, ka raportuar Reuters një zëdhënës i ushtrisë së Odesës, raporton BBC, përcjell Bota sot.

Zëdhënësi Serhiy Bratchuk thotë se Vsevolod Bobrov është goditur pranë ishullit të gjarpërinjve, sipas Reuters.

Ishulli i vogël ndodhet afër kufirit detar të Ukrainës me Rumaninë.

Raportohet gjithashtu se një helikopter rus Mi-24 është rrëzuar në rajonin e Luhanskut.

“Ukraina zbuloi një grup prej katër helikopterësh armik dhe rrëzoi liderin e çiftit të dytë”, tha një komandant i forcave të sulmit ajror ukrainas në Facebook.

BBC nuk i ka verifikuar pretendimet./A.SH

“Është një thertore”/ Familjet e luftëtarëve të Azov luten që ata të shpëtohen

Familjet e dëshpëruara të ushtarëve ukrainas të strehuar në fabrikën e çelikut Azovstal u kanë bërë thirrje liderëve botërorë që të shpëtojnë ata, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Në një konferencë shtypi, familjet i kërkuan presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan që të përfshihej në gjithë këtë.

Yevheniy Sukharnykov, babai i një luftëtari Azov, tha se djali i tij është "në ferr".

"Ata po mbajnë mbrojtjen tani. Nuk është vetëm një luftë, është një thertore. Ne kërkojmë nxjerrjen e luftëtarëve tanë së bashku me vëllezërit e tyre të plagosur dhe të rënë," tha ai.

Ai bëri thirrje që luftëtarët të dërgoheshin në një vend "neutral", duke thënë se një peticion që kërkonte lëvizjen kishte fituar 1.5 milionë nënshkrime.

"Ne e kuptojmë se Turqia mund të jetë një vend i përshtatshëm (për procedurën). Unë i drejtohem Presidentit Erdogan si një burrë dhe një baba. Shpëtoni luftëtarët tanë. Ju keni përvojën. Dërgoni një flotë civile," tha ai.

"Ne i kuptojmë të gjitha rreziqet, por ky është shansi ynë i vetëm. Ne ose rrezikojmë ose së bashku me gjithë botën i shikojmë ata të vrasin."

Natalia Zarytska, gruaja e njërit prej luftëtarëve, tha se ka "qindra të plagosur pa duar, këmbë (që qëndrojnë) në kushte çnjerëzore. Ata po vdesin në agoni."

Ajo vazhdoi: "Kam marrë një mesazh nga burri im se Kryqi i Kuq dhe OKB-ja shqetësoheshin vetëm për civilët. Dhe burri im pyeti 'a jemi ne, ushtarë, vetëm materiale të mbeturinave? Ne ndihmuam dhe mbështetëm civilët, i shpëtuam ata edhe u ndihmuam me ushqimin tonë. Vërtet nuk duam asgjë?'"

Civilët janë evakuuar nga fabrika e çelikut në një operacion të përbashkët midis Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe OKB-së./A.SH

Putin nis hakmarrjen ndaj krerëve të ushtrisë për dështimin në Ukrainë

Burime nga zyrtarët ukrainas pranë presidentit Volodymyr Zelensky konfirmojnë se Vladimir Putin, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, ka nisur hakmarrjen ndaj zyrtarëve të lartë të ushtrisë së tij për dështimin me ofensivën në Ukrainë.

Sipas veteranit të inteligjencës ukrainas, Oleksiy Arestovych, “viktima” e parë e furisë së Putin është gjenerali Valery Gerasimov i cili raportohet të jetë pezulluar nga detyra, ndërkohë që një grup oficerësh janë shkarkuar nga pozicionet e tyre madje disa prej tyre dhe janë arrestuar.

Gjatë një bisede me disidentin rus Mark Feygin, Arestovych u shpreh se sipas informacioneve paraprake, Gerasimov është pezulluar de-fakto dhe i janë lënë disa ditë kohë për të rregulluar gjërat.

“Komandanti i regjimentit të parë të tankeve të distriktit ushtarak perëndimor, gjeneralt Sergei Kisel gjithashtu është arrestuar dhe shkarkuar pasi kontigjenti i parë i tankeve u shkatërrua pranë Kharkivit “, shtoi Arestovych.

Dy komandantë të tjerë të ushtrisë janë shkarkuar për shkak të humbjeve të mëdha në fushën e betejës, sipas informacionit të lëshuar në një kanal Telegram të drejtuar nga ministria e brendshme ukrainase, e cila gjithashtu pretendonte se komandanti i flotës së Detit të Zi është shkarkuar dhe arrestuar dhe zëvendësadmirali i tij është vendosur nën hetim.

Arestovych theksoi se informacioni i tij është paraprak, por bazohet në faktin se Gerasimov nuk mori pjesë në paradën së Ditës së Fitores që u mbajt në Moskë.

Gjermania nuk përkrah furnizimin e Ukrainës me avionë

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock ka shprehur rezerva në lidhje me kërkesën e Ukrainës për ta furnizuar me avionë luftarakë perëndimorë.

Baerbock vuri në dukje refuzimin nga fuqitë perëndimore të një thirrjeje nga Ukraina për të vendosur një zonë ‘ndalim-fluturimi’ mbi Ukrainën.

Ministrja e jashtme gjermane tha se gjatë vizitës së saj në Kiev të martën, ajo "foli për mënyrën se si ne mund të mbështesim Ukrainën, veçanërisht në gjërat në lidhje me qëndrueshmërinë e tyre, aftësinë e tyre për të mbrojtur veten, pa kontribuar që NATO-ja të bëhet pjesëmarrëse në këtë luftë.

"Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba është ftuar të bashkohet në diskutimet e ministrave të jashtëm të G7 që do të zhvillohen më 13 maj në Gjermani.

Gjatë një vizite të fundit në Gjermani, Kuleba bëri thirrje për furnizimin e vendit të tij me avionë modernë dhe sisteme të mbrojtjes kundër raketave./REL

Bisedime ‘shumë të vështira’ që po zhvillohen në përpjekje për të evakuuar trupat e plagosur nga Mariupol

Bisedimet po zhvillohen në një përpjekje për të evakuuar pothuajse 40 mbrojtës të plagosur rëndë ukrainas nga fabrika e çelikut Azovstal në qytetin jugor të Mariupol, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Zëvendëskryeministtja e Ukrainës i përshkroi këto si "negociata shumë të vështira", duke shtuar se ato kanë të bëjnë me 38 trupa "të plagosur rëndë".

Ajo tha dje se Ukraina kishte pyetur Moskën nëse luftëtarët e plagosur rëndë në vend mund të shkëmbeheshin me robër lufte rusë.

Trupat janë strehuar në vend - pjesa e vetme e Mariupolit që nuk është nën kontrollin rus - për javë të tëra, së bashku me rreth 100 civilë.

Shumica e civilëve që kishin qenë në vend janë evakuuar nga autokolona të ndihmuara nga Kombet e Bashkuara dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.

Kuptohet se ka dhjetëra viktima në fabrikën e çelikut, derisa një toger tha për Sky News se "çdo ditë mund të jetë e fundit".

Megjithatë, zonja Vereschuk tha se raportet në lidhje me një shkëmbim të supozuar të 500 ose 600 personave nuk janë të sakta.

Ajo tha: "Përmbahuni nga komentet publike për atë që nuk dini. Nëse gjithçka funksionon dhe ne i nxjerrim njerëzit jashtë, atëherë bëni atë që dëshironi"./A.SH

​Harta e re nga fusha e betejës, një ndryshim i rëndësishëm shihet për ukrainasit

Kundërofensiva e Ukrainës në zonën përreth Kharkivit jep rezultate duke gjykuar nga harta e fundit e shërbimit inteligjent britanik mbi situatën në fushën e betejës.

Zona e gjerë rreth qytetit të dytë më të madh të Ukrainës në hartë tani është shënuar si një zonë nën kontrollin e forcave ukrainase. Në të njëjtën kohë, harta nuk tregon përparim të ri të forcave ruse.

Kujtojmë se të njëjtën gjë vuri në dukje sot edhe Instituti për Luftën, i cili gjithashtu publikoi hartën e tij me një përmbledhje të shkurtër se përpjekjet ruse janë në ngecje përgjatë drejtimit jugor dhe në rajonet Donetsk dhe Luhansk, raporton BBC.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat