Dalin detaje nga vrasja që tronditi botën, ecuria si u zhvillua sulmi ndaj ish-kryeministrit japonez

Bota

Dalin detaje nga vrasja që tronditi botën, ecuria si u zhvillua sulmi ndaj ish-kryeministrit japonez

Nga: Bota sot Më: 8 korrik 2022 Në ora: 11:26 Përditësuar në ora: 15:59 më 08.07.2022
Shinzo Abe pas sulmit me armë zjarri, 8 korrik 2022.

Publikohen pamjet drithëruese, vrasësi duke e ndjekur nga prapa me armë Shinzo Aben

Në fotot e publikuara shihet ish-kryeministri i Japonisë Shinzo Abe me vrasësin e tij që e ndiqte në sfond, disa momente para se ai të qëllohej për vdekje.

Abe vdiq sot pas goditjes nga një vrasës i vetem që përdori një armë artizanale.

67-vjeçari u qëllua në qafë e në gjoks, në krimin shokues motivi i të cilit mbete ende mister.

Në foton e fundit të marrë para se të vdiste, Abe ngjitet të flasë në podium teksa vrasësi e shikon i fiksuar nga prapa.

Disa minuta pas marrjes së fotos sulmuesi qëllon me armën e tij artizanale duke e plagosur fatalisht.

Pas dy të shtënave të zhurmshme Abe shihet duke mbajtur gjoksin me dorë.

Policia arrestoi si atentator të dyshuar një 41 vjeçar, veteran të ushtrisë së vendit me një armë artizanale.

Kryeministri aktual i Japonisë e quajti vrasjen një “akt djallëzor”.

Në shtëpinë e të dyshuarit u gjet një mjet i mundshëm eksploziv, raportonte rrjeti vendas NHK.

Japonia konsiderohet si një nga vendet më të sigurta në botë dhe ka ligje të ashpra për kontrollin e armëve.

Në pamjet televizive Abe shihet të bjerë në asfalt me gjoksin e përgjakur, teksa rojet e sigurisë vrapojnë drejt tij.

Ai u dërgua me urgjencë në spital ku kreu një transfuzion gjaku por nuk arriti të mbijetojë.

Kjo është vrasja e parë e një politikani japonez që prej kohës së pushtetit ushtarak të paraluftës në vitet 1930-të.

I dyshuari “doli nga askund duke mbajtur një armë”: Si u zhvillua sulmi

Pamjet dhe dëshmitarët kanë arritur të tregojnë saktësisht se çfarë ndodhi në minutat para dhe kur ish-kryeministri Shinzo Abe u qëllua.

Derisa Abe foli në një kryqëzim jashtë stacionit Yamato-Saidaiji në Nara, rrugët nuk u bllokuan dhe një autobus dhe furgon kaluan pas ish-kryeministrit japonez.

Derisa turma me qindra njerëz po ndiqte fjalimin, një person tundi me dorë në shenjë njohjeje të emocionuar ndaj Abe, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

I veshur me një xhaketë të errët pavarësisht vapës, Abe i bëri thirrje turmës që të rizgjedhte kandidatin Kei Sato në zgjedhjet e Dhomës së Lartë të kësaj fundjave.

Anëtarët e ekuivalentit japonez të shërbimit sekret qëndruan rreth tij.

Pastaj, një burrë i dobët me një bluzë gri dhe pantallona ngjyrë bezhë erdhi nga pas z. Abe dhe hapi zjarr, duke dërguar një re tymi të bardhë në turmë.

Biznesmeni Makoto Ichikawa, i cili kishte qenë pranë stacionit të trenit në pritje të gruas së tij, tha se i armatosuri "doli nga askund në mes të rrugës duke mbajtur një armë".

"Nga gjuajtja e parë, askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte", tha ai, duke përshkruar se si sulmuesi u rrëzua në tokë pas goditjes së dytë.

Në atë kohë, Abe gjendej i shtrirë në tokë dhe gjaku u pa duke njollosur këmishën e tij të bardhë.

Ken Namikawa, kryebashkiaku i qytetit Tenri të Narës, thirri me mikrofon duke pyetur nëse kishte mjekë apo infermierë në turmë.

Një infermiere vrapoi dhe filloi të kujdesej për zotin Abe./Botasot

Shokoi botën duke vrarë ish-kryeministrin, policia zbulon çka u gjet në shtëpinë e të dyshuarit

Më shumë armë të bëra me dorë, të ngjashme me atë të përdorur në sulmin fatal ndaj ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, u sekuestruan në shtëpinë e të dyshuarit, thanë zyrtarët e Nara në një konferencë për shtyp.

Tetsuya Yamagami besohet se ka udhëtuar me tren në vendin ku ish-udhëheqësi i Japonisë po mbante fjalim, përpara se të hapte zjarr, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Policia tha se i dyshuari u tha oficerëve se ai kishte inat kundër një organizate specifike dhe besonte se Abe ishte pjesë e asaj organizate.

Ata nuk pranuan të përmendin emrin e organizatës.

Ata thanë se Yamagami e ka pranuar sulmin.

Vritet ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe

Ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, vdiq pasi u sulmua me armë zjarri në një ngjarje në qytetin Nara, raporton transmetuesi japonez, NHK.

Abe, 67 vjeç, po mbante një fjalim për zgjedhjet, kur u qëllua me dy plumba.

Sulmuesi i dyshuar u arrestua në vendin e ngjarjes, ndërsa Abe u dërgua menjëherë në spital në gjendje të rëndë.

"Sipas një zyrtari të lartë të LDP-së [partisë së Abes], ish-kryeministri vdiq në një spital në Kashihara, rajoni Nara, ku po merrte trajtim mjekësor. Ai ishte 67 vjeç", raportoi NHK.

Sipas burimit të njëjtë, sulmuesi i dyshuar, i identifikuar si Tetsuya Yamagami, 41 vjeç, i ka thënë policisë se ishte i pakënaqur me Aben dhe se donte ta vriste.

“Cilado qoftë arsyeja, një akt i tillë barbar nuk mund të tolerohet kurrë dhe ne e dënojmë ashpër atë”, tha sekretari i kabinetit japonez, Hirokazu Matsuno.

Abe ka thyer rekordet si kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.

Ai ka shërbyer për një vit më 2006 dhe më pas përsëri nga viti 2012 deri më 2020. Atëbotë, ai ka dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore. Më vonë ka zbuluar se i është kthyer koliti ulceroz - një sëmundje e zorrëve.

Abe është pasuar nga aleati i tij i ngushtë i partisë, Yoshihide Suga, i cili më vonë është zëvendësuar nga Fumio Kishida.

Incidentet me armë zjarri janë të rralla në Japoni. Armët e dorës atje janë të ndaluara.

Ngritja në pushtet

Me pseudonimin “Princ”, Shinzo Abe është djali i ish-ministrit të Jashtëm, Shintaro Abe, dhe nipi i ish-kryeministrit, Nobusuke Kishi.

Ai është zgjedhur për herë të parë në Parlament në vitin 1993, ndërsa më 2005 është bërë anëtar i kabinetit, duke u emëruar sekretar kryesor nga kryeministri i atëhershëm, Junichiro Koizumi.

Më 2006, Abe është bërë kryeministri më i ri i Japonisë së pasluftës.

Megjithatë, një sërë skandalesh - duke përfshirë humbjen e të dhënave të pensioneve nga Qeveria - kanë prekur administratën e tij.

Në shtator të vitit 2007, ai ka dhënë dorëheqje, për shkak të kolitit ulceroz.

Abe është kthyer si kryeministër në vitin 2012, duke thënë se ka kapërcyer sëmundjen me ndihmën e mjekimeve.

Ai është rizgjedhur më pas në vitin 2014 dhe në vitin 2017, duke u bërë kryeministri më jetëgjatë i Japonisë.

Popullariteti i Abes është luhatur, por ai ka mbetur kryesisht i pasfidueshëm si kryeministër, për shkak të ndikimit në partinë e tij LDP, e cila i ka ndryshuar rregullat e saj për t’i mundësuar atij që të shërbejë edhe mandatin e tretë si lider partie.

Një nacionalist i diskutueshëm

Abe është i njohur për qëndrim të ashpër ndaj mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Për kohë të gjatë, ai ka kërkuar të ndryshojë Kushtetutën pacifiste të Japonisë së pasluftës.

Pikëpamjet e tij nacionaliste shpesh i kanë rritur tensionet me Kinën dhe Korenë e Jugut, veçanërisht pas vizitës së tij - në vitin 2013 - në faltoren Yasukuni të Tokios. Ky është një lokacion i diskutueshëm që lidhet me militarizmin japonez para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në vitin 2015, ai ka kërkuar të drejtën e vetëmbrojtjes kolektive, duke i mundësuar Japonisë që t’i mobilizojë trupat jashtë shtetit, për të mbrojtur veten dhe aleatët nën sulm.

Pavarësisht kundërshtimeve nga fqinjët e Japonisë e, madje, edhe nga publiku vendas, Parlamenti japonez e ka miratuar këtë ndryshim.

Trajtimi i ekonomisë dhe i pandemisë COVID-19

Abe, gjithashtu, njihet si “Abenomics” - një referencë për politikën e tij ekonomike, të ndërtuar mbi lehtësimin monetar, stimulin fiskal dhe reformat strukturore.

Këto masa kanë çuar në rritje ekonomike gjatë mandatit të tij të parë, por ngadalësimet e mëvonshme kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e tyre.

Përpjekjet e tij për të ringjallur ekonominë janë përballur me sfida, kur Japonia, në pranverën e vitit 2020, ka hyrë në recesion, për herë të parë që nga viti 2015.

Popullariteti i tij është goditur edhe më, pas kritikave për trajtimin e pandemisë COVID-19.

Ka pasur shqetësime se fushatat për nxitjen e turizmit vendas kanë kontribuar në rritjen e numrit të rasteve me këtë sëmundje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat