Lavrov largohet mes tensioneve nga G20

Bota

Lavrov largohet mes tensioneve nga G20

Më: 8 korrik 2022 Në ora: 19:12
Sergej Lavrov

Lufta në Ukrainë dominoi takimin e ministrave të Jashtëm të G20-ës në Indonezi. Në tryezë nuk munguan dhe momentet e tensionit, ndërsa për herë të parë që prej nisjes së konfliktit, Rusia mori pjesë në një event ndërkombëtar të rëndësishëm. 

Ministri i jashtëm, Sergej Lavrov u shpreh i gatshëm për negociata me Turqinë dhe Ukrainën për çështjen e zhbllokimit të eksporteve të grurit. Por veprimet e tij treguan të kundërtën, pasi zyrtari rus nuk ishte i pranishëm në sallë kur fjalën e mori homologu i tij nga Kievi, i cili akuzoi Moskën se po zbaton “lojëra urie” me botën.

“Këtu ekziston vetëm një rusofobi e tërbuar, së cilës ata i drejtohen në vend që të gjejnë gjuhën e përbashkët aq të nevojshme për çështjet kryesore në ekonominë globale dhe financat, për të cilat është krijuar G20-ta”, tha Lavrov.

Ai u shpreh i hapur për një takim me homologun amerikan, por shtoi se nuk do vrapojë pas tij për një bisedë bilaterale, pasi sipas tij kontaktet janë shkëputur nga Uashingtoni. Ministri i jashtëm rus është larguar nga samiti i G20-ës në Bali më herët nga përfaqësuesit e tjerë duke mos marrë pjesë në takimet e pasdites. Mësohet se largimi i tij ka ndodhur pikërisht kur ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock, po fliste.

“Qeveria e Rusisë nuk dëshiron që Kombet e Bashkuara të jenë pjesë e negociatave për eksportimin e grurit. Fakti që ministri I jashtëm rus shpenzoi shumicën e kohës jo në sallë po jashtë saj, tregon se nuk ekziston asnjë milimetër dëshirë nga qeveria ruse për të negociuar tani”, tha Annalena Baerbock, ministre e Jashtme e Gjermanisë.

Ndërkohë, thirrja e sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken në samitin e G20-ës për Rusinë ishte që të lejonte dërgesat me grurë. Ndërsa thuajse njëzëri, të gjithë të pranishmi kërkuan që Moska të ndalojë sa më parë luftën në Ukrainë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat