Biden: Udhëheqësi i al-Kaidës Ayman al-Zawahiri është vrarë

Bota

Biden: Udhëheqësi i al-Kaidës Ayman al-Zawahiri është vrarë

Më: 2 gusht 2022 Në ora: 01:36
Foto ilustrim

Presidenti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara kryen një operacion kundër terrorizmit të shtunën në Afganistan duke vrarë udhëheqësin e lartë të al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, i cili ishte zëvendës i themeluesit të grupit terrorist, Osama bin Laden, kur ata organizuan sulmet e shtatorit të viti 2001 kundër Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Biden tha se zyrtarët amerikan të zbulimit e gjurmuan al-Zawahirin në një shtëpi në qendër të Kabulit, ku ai ishte fshehur me familjen e tij, e cila nuk ka pësuar gjatë sulmit.

“Tani drejtësia është vendosur dhe ky udhëheqës terrorist nuk është më”, tha presidenti Biden në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

Image

“Njerëzit në mbarë botën nuk kanë më nevojë të kenë frikë nga vrasësi i egër dhe i vendosur. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të demonstrojnë vendosmërinë dhe kapacitetin për të mbrojtur popullin amerikan kundër atyre që kërkojnë të na dëmtojnë. E bëjmë të qartë sërish sonte se sado kohë të zgjasë, kudo që të fshiheni, nëse jeni një kërcënim për popullin tonë, Shtetet e Bashkuara do t'ju gjejnë dhe do t'ju heqin qafesh”, tha presidenti Biden.

Konfirmimi i sulmit u bë disa orë pasi sundimtarët talebanë në Kabul thanë se një sulm me raketa të dielën kundër një kompleksi banimi në kryeqytetin afgan, ishte kryer me një dron amerikan.

Image
Ayman al Zawari thuhet se u vra nga një sulm i SHBA gjatë fundjavës

 

“Emirati Islamik i Afganistanit e dënon fuqishëm këtë sulm me çfarëdo preteksti”, tha zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid në një deklaratë, duke përdorur emrin zyrtar për qeverinë talebane.

Ai e denoncoi sulmin si “shkelje të hapur të parimeve ndërkombëtare dhe marrëveshjes së Dohas”, duke ju referuar marrëveshjes së vitit 2020 që grupi i tij kishte nënshkruar me SHBA-në, e cila çoi në tërheqjen e të gjitha trupave amerikane dhe aleate nga Afganistani gushtin e kaluar, pas pothuajse 20 vitesh lufte me talebanët.

Grupi kryengritës islamik mori kontrollin mbi Afganistanin me 15 gusht pasi trupat e huaja të udhëhequra nga SHBA-ja u tërhoqën dhe qeveria e mbështetur nga perëndimi në Kabul si dhe forcat e saj të sigurisë u rrënuan përballë sulmit taleban.

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga SHBA-ja pushtoi Afganistanin në tetor të vitit 2001 dhe rrëzoi qeverinë e atëhershme talebane në Kabul, për ta ndëshkuar atë për strehimin e rrjetit terrorist al-Kaida. Bin Laden dhe al-Zawahiri i shpëtuan operacionit ushtarak ndërkombëtar. Forcat e posaçme amerikane më vonë gjetën dhe vranë bin Ladenin thellë brenda Pakistanit fqinj, në maj të vitit 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat