Raisi thotë se dëshiron që marrëveshja bërthamore të ringjallet

Bota

Raisi thotë se dëshiron që marrëveshja bërthamore të ringjallet

Më: 21 shtator 2022 Në ora: 17:12
Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, gjatë adresimit para Kombeve të Bashkuara.

Presidenti i Iranit tha se shteti i tij është serioz sa i përket ringjalljes së marrëveshjes bërthamore me fuqitë perëndimore, por vuri në pikëpyetje nëse Teherani mund t’i besojë zotimit të Amerikës ndaj çdo marrëveshjeje të mundshme.

Më 2018, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi shtetin e tij nga marrëveshja që Teherani arriti më 2015 me fuqitë bërthamore.

Kjo marrëveshje kishte për qëllim frenimin e programit bërthamor të Republikës Islamike në këmbim të sanksioneve ekonomike.

Qëkur Uashingtoni është tërhequr nga marrëveshja, Teherani ka nisur të shkelë kufizimet e vendosura sa i përket pasurimit të uraniumit.

Gjatë fjalimit para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, tha se bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes janë në një moment kritik.

“Dëshira jonë e vetme është: respektim të zotimit”, tha Raisi, teksa theksoi se SHBA-ja ishte ajo që u tërhoq nga marrëveshja.

Ai pyeti nëse Irani “vërtetë mund të besojë, pa iu dhënë garanci” se SHBA-ja kësaj radhe do të respektojë zotimet e saj.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian, që ndërmjetësojnë bisedimet, thanë se dritarja për të arritur një marrëveshje është duke u mbyllur.

Qëkur Joe Biden ka marrë postin e presidentit të SHBA-së, janë rritur shpresat për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat