VOA: Pheniani, provë me raketë pasi nënpresidetja amerikane largohet nga Koreja e Jugut

Bota

VOA: Pheniani, provë me raketë pasi nënpresidetja amerikane largohet nga Koreja e Jugut

Më: 29 shtator 2022 Në ora: 20:28
Kamala Harris

Ushtria e Koresë së Jugut bëri të ditur sot se Koreja e Veriut lëshoi të paktën një raketë balistike drejt ujërave të saj në lindje të vendit.

Ky zhvillim ndodhi disa orë pasi nënpresidentja amerikane Kamala Harris u largua nga Koreja e Jugut, ndalesa e fundit e një udhëtimi katër-ditor aziatik, gjatë të cilit zonja Harris theksoi angazhimin amerikan për të mbrojtur aleatët e saj përballë kërcënimeve në rritje të Phenianit.

Raketa e lëshuar ishte e treta në ciklin e provave me raketa të kryera këtë javë nga Pheniani. Koreja e Veriut kreu prova me dy raketa balistike të mërkurën, vetëm një ditë përpara se zonja Harris të vizitonte Korenë e Jugut dhe po ashtu të dielën, përpara nisjes së saj nga Uashingtoni.

Nënpresidentja Harris vizitoi të enjten zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë ku dënoi programin e armëve të Koresë së Veriut duke e quajtur "diktaturë brutale" e "destabilizuese".

Në zonën e çmilitarizuar mes Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, zonja Harris tha se provat me raketa janë "qartësisht një provokim".

Më herët gjatë ditës së enjte ajo u takua me presidentin me prirje konservatore të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, i cili ka nxitur përmirësimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara. Vizita e zonjës Harris kishte për qëllim të përsërisë angazhimin amerikan për të mbrojtur Korenë e Jugut. Rreth 28,000 trupa amerikane janë të vendosura në Korenë e Jugut, një trashëgimi e Luftës Koreane të viteve 1950, e cila përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat