Çfarë është NASAMS – mburoja mbrojtëse e Ukrainës në qendër të vëmendjes pas shpërthimit të raketës në Poloni?

Bota

Çfarë është NASAMS – mburoja mbrojtëse e Ukrainës në qendër të vëmendjes pas shpërthimit të raketës në Poloni?

Më: 16 nëntor 2022 Në ora: 20:05
Foto ilustrim

Raketat tokë-ajër janë në fokus pas komenteve të Sekretarit të Mbrojtjes të SHBA-së, Lloyd Austin, pas goditjes së raketës që shkaktoi një shpërthim dhe si pasojë edhe dy të vdekur në Poloni.

Në sfondin e goditjes së raketës në Poloni që i vuri liderët botërorë në pozitë sfiduese, çdo deklaratë diplomatike e dalë nga Uashingtoni, Moska apo Kievi po vëzhgohet me vëmendje për të përcaktuar se çfarë mund të ketë ndodhur.

Në këtë kontekst, përmendja e sistemit të avancuar kombëtar të raketave tokë-ajër – i njohur me akronimin NASAMS – nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin disa orë pasi një sulm raketor vrau dy persona pranë një fshati polak, ka nxitur gjithashtu kuriozitet për të shqyrtuar këtë pajisje ushtarake.

Dhe kjo bëhet më e dukshme pasi goditja në Poloni thuhet se mund të jetë edhe nga një raketë nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

“Mbrojtja ajrore NASAMS e ofruar nga SHBA-ja ka 100 për qind sukses në përgjimin e raketave ruse”, citoi Reuters të thoshte Austin.

Ukrainës iu dorëzuan sistemet NASAMS më 7 nëntor pasi ushtarët e saj morën trajnime operacionale në Norvegji.

“NASAMS-ët” u zhvilluan bashkërisht nga Kongsberg i Norvegjisë dhe prodhuesi amerikan i mbrojtjes Raytheon Technologies.

Ndërkohë vënë në pah mediat e huaja, përcjell Telegrafi, zyrtarët ukrainas madje u emocionuan kur u dorëzuan dy sisteme NASAMS.

“Shiko kush është këtu! Sistemet e mbrojtjes ajrore NASAMS dhe Aspide mbërritën në Ukrainë!”, shkroi në Twitter ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov.

“Këto armë do të forcojnë ndjeshëm ushtrinë e Ukrainës dhe do t’i bëjnë qiejt tanë më të sigurt”.

Ndryshe nga sistemet e tjera të shtrenjta të mbrojtjes, NASAMS mund të përdorin raketa relativisht të lira ajër-ajër që vendosen në aeroplanë luftarakë.

Një raport i New York Times nga java e kaluar thoshte se aleatët e NATO-s kishin shumë raketa të tilla.

Armatimi i avancuar është dërguar në Ukrainë në një kohë kur ka shqetësime në rritje se ushtrisë së saj po i mbarojnë raketat për të luftuar aeroplanët dhe dronët rusë.

Ndryshe, Rusia ka rritur fushatën e saj ajrore kundër objektivave të Ukrainës në javët e fundit.

E presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kohët e fundit u kërkoi vendeve të pasura që të ndihmojnë në forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit të tij pas një vale sulmesh ajrore në infrastrukturën energjetike të vendit të tij.

NASAMS-et, të cilat vijnë të pajisura me radar, sensorë infra të kuqe dhe lëshues raketash, njihen gjithashtu si ‘sistem i lëvizshëm’ që mund të vendoset lehtësisht në disa automjete.

Të paktën 15 vende e kanë sistemin deri më tani, sipas faqes së internetit të Kongsberg.

Sistemet e raketave me rreze të mesme veprimi kanë aftësinë për të zbuluar kërcënimet ajrore që vijnë nga çdo drejtim.

Në këtë drejtim, Himars-ët (Sistemi i Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë) të furnizuar nga SHBA-të kanë ndihmuar tashmë forcat ukrainase në luftimin e artilerisë së fuqishme ruse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat