Zyrtarët amerikanë mbrojnë vendimin për imunitet për princin saudit të kurorës

Bota

Zyrtarët amerikanë mbrojnë vendimin për imunitet për princin saudit të kurorës

Më: 19 nëntor 2022 Në ora: 19:07
Biden iyo Mohammed bin Salman

Zyrtarët amerikanë po mbrojnë rekomandimin e tyre në gjykatë se Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman, duhet të konsiderohet me imunitet nga hetimet për rolin e tij në vrasjen e Jamal Khashoggit, bashkëpunëtor i gazetës Washington Post që banonte në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, rekomandimi i administratës amerikane po kritikohet nga grupet e të drejtave të njeriut dhe nga disa ligjvënës amerikanë.

Marrëdhënia e Shteteve të Bashkuara me Princin saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman është rikthyer në epiqendër të vëmendjes pasi administrata e Presidentit Joe Biden rekomandoi që gjykata në Uashington ta konsiderojë atë me imunitet nga hetimet në kuadrin e një padie civile të ngritur në Shtetet e Bashkuara nga Hatice Cengiz, e fejuara e të ndjerit Jamal Khashoggi, si dhe themeluese e grupit për të drejtat e njeriut “Demokraci Tani për Botën Arabe”.

Vrasja në vitin 2018 në konsullatën saudite në Stamboll e zotit Khashoggi, një anëtar i familjes mbretërore i shndërruar në kritik të saj, izoloi përkohësisht në Perëndim princin e kurorës, të njohur me inicialet MBS. Ai e ka mohuar se pati urdhëruar vrasjen.

Zonja Cengiz e priti atë ditë zotin Khashoggi jashtë konsullatës saudite, nga e cila ai nuk doli kurrë. Ajo shprehu zhgënjimin e saj me rekomandimin e qeverisë amerikane duke shkruajtur në Twitter se:

Departamenti amerikan i Shtetit i ka dhënë imunitet #MBS (princit saudit). Nuk ishte vendimi që pritej. Mendonim se kishte shpresë për drejtësi nga Shtetet e Bashkuara. Por sërish, paratë dolën më të rëndësishme”.

Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, u pyet përse administrata e Presidentit Biden ndërhyri në padinë gjyqësore, dhe tha se arsyeja është sepse princi saudit është shpallur kryeministër i vendit.

Kjo është për shkak se Kryeministri bin Salman ka imunitet nga paditë në gjykatat amerikane. Për sa kohë ai ka postin e kryeministrit, ai është kreu i qeverisë. Nuk ka të bëjë aspak me meritat e çështjes. Përcaktimi për imunitetin është një përcaktim ligjor”, tha zoti Patel.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe disa ligjvënës amerikanë gjithashtu e kritikuan rekomandimin për imunitetin, ndër ta edhe ligjvënësi demokrat Adam Schiff, i cili shkruajti në Twitter se:

“Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ndërmarrin veprime për të mbrojtur ata që vrasin gazetarë, aq më pak ata që vrasin dhe copëtojnë trupin e një banori të Shteteve të Bashkuara”.

Presidenti Joe Biden u kritikua edhe për vizitën e tij në Arabinë Saudite në korrik, pasi ishte zotuar gjatë fushatës elektorale se do ta bënte të padëshirueshëm princin saudit të kurorës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat