Pheniani hedh dy raketa balistike, rifillon provat

Bota

Pheniani hedh dy raketa balistike, rifillon provat

Më: 18 dhjetor 2022 Në ora: 16:20
Foto ilustrim

Koreja e Veriut lëshoi të dielën dy raketa balistike mbi ujërat në lindje të vendit. Kjo është prova e parë në një muaj, dy ditë pasi Pheniani pretendoi se kishte kryer një test të rëndësishëm, të nevojshëm për të ndërtuar një raketë balistike ndërkontinentale të fuqishme me objektiv Shtetet e Bashkuara.

Ushtria e Koresë së Jugut zbuloi lëshimin e dy raketave balistike të Koresë së Veriut nga zona e saj veriperëndimore Tongchangri. Raketat fluturuan drejt brigjeve lindore, tha përmes një deklarate Shefi i Shtabit të Ushtrisë së Koresë së Jugut.

Ai tha se raketat u hodhën në një interval prej rreth 50 minutash nga njëra-tjetra, por nuk dha detaje të mëtejshme, se çfarë lloj armësh gjuajti Koreja e Veriut dhe sa larg fluturuan.

Drejtuesi i lartë ushtarak tha se ushtria e Koresë së Jugut ka forcuar aftësitë e zbulimit dhe ruan gatishmërinë në koordinim ë ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët japonezë thanë gjithashtu se i vëzhguan dy lëshimet e raketave nga Koreja e Veriut. Roja e saj bregdetare tha se raketat e lëshuara nga Koreja e Veriut ranë në ujërat midis Gadishullit Korean dhe Japonisë. Zyrtarët e rojes bregdetare japoneze thanë se të dy raketat ranë jashtë zonës ekskluzive ekonomike të Japonisë.

Hedhja e raketave bëhet në Tongchangri ku ndodhet pista Sohae nga ku vitet e fundit Pheniani ka lëshuar raketa me rreze të gjatë veprimi që mbartin satelitë.

Të enjten, në objektin Sohae, Koreja e Veriut tha se kreu gjithashtu një provë të një "motori me karburant të ngurtë me shtytje të lartë" për një armë të re strategjike, një zhvillim që ekspertët thonë se mund t’i japër asaj mundësi të zotërojë një arsenal më lehtësisht të transportueshë dhe më të vështirë për t'u diktuar raketash balistike ndërkontinentale që mund të arrijnë në territorin e SHBA-së.

Nuk dihet ende nëse hedhja e së dielës ndodhi nga objekti Sohae.

Koreja e Veriut ka thënë se provat e saj me raketa janë masa vetëmbrojtëse për t'u përballur me stërvitjet e zgjeruara ushtarake SHBA-Kore e Jugut, të cilat i sheh si provokim.

Por disa ekspertë thonë se Koreja e Veriut ka të ngjarë të përdorë trajnimin ushtarak të rivalëve të saj si një justifikim për të zgjeruar arsenalin e saj të armëve dhe për të rritur ndikimin në negociatat e ardhshme me Shtetet e Bashkuara./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat