Putin: Situata në front është jashtëzakonisht e vështirë

Bota

Putin: Situata në front është jashtëzakonisht e vështirë

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 15:37
Presidenti rus Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin tha të martën se situata në katër pjesë të Ukrainës që ai i aneksoi para pak muajsh ishte “jashtëzakonisht e vështirë”. Ndërkohë Kievi thotë se takimi i presidenti rus me atë të bjellorusisë dje synonte përfshirjen e Minskut në luftën kundër Ukrainës. 

Duke folur me anëtarët e shërbimeve ruse të sigurisë, Presidenti rus, Vladimir Putin theksoi se situata në katër zonat që i shpalli si territor rus në shtator, Donjesk dhe Luhansk në Ukrainën lindore, si dhe Khersonin dhe Zaporizhian në jug, është jashtëzakonisht e vështirë. 

"Veçanërisht do të doja të përmendja njësitë e agjencive të sigurisë që filluan të veprojnë në rajonet e reja ruse. Situata në ato zona është jashtëzakonisht e vështirë"

“Veçanërisht do të doja të përmendja njësitë e agjencive të sigurisë që filluan të veprojnë në rajonet e reja ruse. Po, është e vështirë për ju tani: situata në ato zona është jashtëzakonisht e vështirë. Por, njerëzit që jetojnë atje, qytetarët e Rusisë, mbështeten tek ju, tek mbrojtja që ofroni ju. Dhe, është detyra juaj të bëni gjithçka të nevojshme për të garantuar sa më shumë sigurinë, të drejtat dhe liritë e tyre”, tha presidenti rus, Putin. 

Ai u zotua se Moska do të vazhdojë të forcojë njësitë e reja me pajisje dhe armë moderne, si dhe me personel me përvojë. 

Ndërkaq, komandanti i forcave të përbashkëta ukrainase Serhiy Nayev tha se ai besonte se takimi i udhëheqësit rus me homologun bjellorus synonte përfshirjen më të gjerë të forcave bjelloruse në operacionin kundër Ukrainës. 

Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka thënë vazhdimisht se ai nuk ka ndërmend të dërgojë trupa në Ukrainë, pasi u dha forcave ruse mundësinë të shfrytëzojnë territorin bjellorus për sulmin ndaj Ukrainës në shkurt. 

Rusia asnjëherë nuk e ka kontrolluar plotësisht ndonjëren nga katër zonat që u aneksuan nga Moska në shtator. Aneksimi nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat