Aksident i rëndë hekurudhor në Greqi/ Përplasen dy trena, 36 të vdekur dhe 85 të plagosur

Bota

Aksident i rëndë hekurudhor në Greqi/ Përplasen dy trena, 36 të vdekur dhe 85 të plagosur

Më: 1 mars 2023 Në ora: 07:17 Përditësuar në ora: 11:38 më 01.03.2023
Pamje nga zona e aksidentit në Greqi.

Tragjedia në Greqi, mjekja: 7 trupa janë djegur plotësisht, vetëm testi i ADN-së mund t’i identifikojë

Trupat e shtatë prej viktimave nga përplasja tragjike e dy trenave në Greqi janë djegur plotësisht. Sipas mediave greke, për identifikimin e tyre nevojitet testi i ADN-së. Aktualisht ata ndodhen në morgun e përgjithshëm të Larisës, zona ku ndodhi aksidenti.

Shefja e Shërbimit Mjekësor të Larisës, Rubin Leontari tha se “transferimi i trupave po vazhdon”.

“7 trupa janë karbonizuar. Procesi i identifikimit ende nuk ka filluar. Ky është një proces që kërkon kohë. Disa trupa kanë nevojë për testin e ADN-së ne mënyrë që të bëhet identifikimi i tyre”, tha ajo në një intervistë për mediat greke.

Pjesa më e madhe e trupave të karbonizuar janë të rinj. Autoritetet greke besojnë se numri i viktimave ka gjasa të rritet. Deri më tani janë regjistruar 38 viktima nga përplasja e  dy trenave.

Të paktën 36 persona të vdekur nga përplasja e trenave në Greqi

Një tren me pasagjerë është përplasur me një tren mallrash në veri të Greqisë, duke lënë të vdekur 36 persona, ndërsa të paktën 85 janë plagosur.

Aksidenti ka ndodhur në qytetin Tempe, pak para mesnatës.

Disa pjesë të trenit kanë dalë nga binarët dhe kanë marrë flakë.

Treni me rreth 350 pasagjerë ka qenë duke udhëtuar nga Athina për në qytetin verior, Selanik.

Presidentja greke, Katerina Sakellaropoulou, e ka ndërprerë vizitën në Moldavi, për t’u kthyer në vendin e saj.

Flasin të mbijetuarit e aksidentit tragjik në Greqi

Të mbijetuarit kanë treguar për “10 sekonda makth” pasi vagoni i tyre i trenit u përmbys dhe u përfshi nga flakët në një aksident në Greqinë veriore.

Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në përplasjen kokë më kokë midis dy trenave pranë qytetit të Larisës mbrëmjen e së martës.

Ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë gjithë natës për të gjetur të mbijetuar.

Dëgjuam një zhurmë të madhe”, tha pasagjeri 28-vjeçar Stergios Minenis.

“Për 10, 15 sekonda ishte kaos. Përmbysje, zjarre, kabllo të varura, xhama të thyer, njerëz që bërtisnin, njerëz të bllokuar, shtoi ai për Reuters.

Sipas një pasagjeri të tronditur që foli për televizionin Skai, xhamat shpërthyen papritur dhe njerëzit po bërtisnin dhe kishin frikë.

Fatmirësisht, ne mundëm të hapnim dyert dhe të arratiseshim mjaft shpejt. Në vagonët e tjerë nuk arritën të dilnin, madje një vagon mori flakë”, tha një pasagjer.

Bashkëpasagjeri Angelos Tsiamouras tha për mediat lokale se përplasja ishte ndjerë si një tërmet, ndërsa një tjetër i quajtur Lazos i tha gazetës Protothema: “Unë nuk u lëndova, por u ndota me gjak nga njerëzit e tjerë që u plagosën pranë meje.”

Treni i pasagjerëve po udhëtonte nga Athina për në qytetin verior të Selanikut kur u përplas kokë më kokë me trenin tjetër të mallrave, duke shkaktuar zjarr në të paktën një nga vagonët. Nuk dihet shkaku i rrëzimit.

Rreth 150 zjarrfikës dhe 40 ambulanca ishin në vendngjarje, thanë shërbimet greke të urgjencës, me vinça të përdorur gjithashtu për të hequr rrënojat.

“Ishte një përplasje shumë e fuqishme”, tha për televizionin shtetëror guvernatori rajonal i rajonit të Thesalisë, Kostas Agorastos.

Kjo është një natë e tmerrshme… Është e vështirë të përshkruhet skena”, shtoi ai.

Ai tha se katër vagonët e parë të trenit të pasagjerëve u dolën nga shinat, dhe dy vagonët e parë morën flakë dhe u “shkatërruan pothuajse plotësisht”.

Ata po udhëtonin me shpejtësi të madhe dhe njëri (shofer) nuk e dinte se tjetri po vinte,” tha guvernatori.

Kushtet për punonjësit e shpëtimit ishin “shumë të vështira” për shkak të “ashpërsisë së përplasjes”, u tha gazetarëve zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës Vassilis Varthakoyiannis.

Unë kurrë nuk kam parë diçka të tillë në tërë jetën time. Është tragjike. Pesë orë më vonë, ne po gjejmë trupa”, tha një shpëtimtar i rraskapitur që doli nga rrënojat për agjencinë e lajmeve AFP.

Po jetojmë një tragjedi. Po nxjerrim njerëz të gjallë, të plagosur… ka të vdekur. Do të jemi gjithë natën këtu, derisa të mbarojmë, derisa të gjejmë personin e fundit”, tha një tjetër punonjës vullnetar shpëtimi për ERT, transmetuesi shtetëror në komentet e cituara nga Reuters.

Përplasen dy trena, 32 të vdekur dhe 85 të plagosur

Greqia është shokuar nga një prej aksidenteve më të mëdha hekurudhore në historinë e saj.

Një tren pasagjerësh me 350 udhëtarë është përplasur me një tren mallrash në luginën e Tembit pranë Larisës .

Si pasojë 32 persona kanë gjetur vdekjen dhe 85 janë plagosur, prej të cilëve 25 ndodhen në gjendje kritike. 270 të tjerë janë transportuar me autobusë në Selanik.

Përplasja ka ndodhur pak pas mesnate kur treni i pasagjerëve me destinacion nga Athina në Selanik është përplasur me një tren mallrash me drejtim të kundërt dhe ka marrë zjarr.

Sipas dëshmitarëve okularë dy vagonet e para janë shkatërruar tërrësisht, ndërsa tre vagonë të tjerë të trenit të pasagjerëve kanë dalë jashtë shinave. Mbi 40 ambulanca kanë shkuar në vendgjarje, si dhe repartet e zjarrfikësve me 150 vetë, 32 policë me 15 mjete kanë izoluar vendin e aksidentit , spitalet e gjithë zonës janë vënë në gadishmëri për të trajtuar të lënduarit, në vendgjarje ndodhet edhe ministri i Shëndetsisë.

Megjithse shkaqet e aksidentit nuk dihen ende, vlerësohet se kemi të bëjmë me një gabim njerëzor. Dyshohet se përgjegjësi i stacionit në Larisa e ka futur trenin e pasagjerëve në binarë të gabuar, duke rezultuar që të dy trenat të ndodhen në të njëjtën trase nga dy drejtime të ndryshme dhe të përplasen me forcë të madhe.

Vlerësohet gjithashtu se numri i viktimave do të rritet pasi ende nuk janë gjendur pasagjerët e dy vagonëve të parë .

Greqia ka regjistruar edhe dy aksidente të tjera hekurudhore shumë vite më parë. Pranë Dervenit në 1968 përsëri dy trena janë përplasur me pasojë vdekjen e 34 pasagjerëve dhe plagosjen e 100 të tjerëve , ndërsa edhe në vitin 1972 në një ngjarje të ngjashme 19 persona kanë vdekur nga një përplasje trenash pranë Kardhitsës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat