LIVE: Droni ukrainas fluturon mbi Sheshin e Kuq të Moskës – Kolona e mjeteve të blinduara, çfarë po përgatit Ukraina?

Bota

LIVE: Droni ukrainas fluturon mbi Sheshin e Kuq të Moskës – Kolona e mjeteve të blinduara, çfarë po përgatit Ukraina?

Nga: BOTA SOT Më: 25 prill 2023 Në ora: 06:31 Përditësuar në ora: 20:17 më 25.04.2023
Kolona e mjeteve të ushtrisë Ukrainase

Pas 426 ditëve luftë, Kievi zbulon numrin e frikshëm të rusëve të vrarë

Autoritetet në Kiev kanë bërë një bilanc të luftës me Rusinë, tashmë që përballja e armatosur ka hyrë në ditën e saj të 426.

Në një përditësim të shifrave të fataliteteve, Ministria ukrainase e Mbrojtjes deklaron se Kremlini ka humbur më shumë se 187 mijë ushtarë që nga nisja e të ashtuquajturit operacion special në shkurtin e vitit të kaluar.

Mes shifrave të publikuara bie në sy dhe bilanci i 24 orëve të fundit, ku sipas ministrisë, kanë humbur jetën 690 ushtarë rusë.

Luftimet tashmë janë përqendruar në lindje të Ukrainës, teksa ushtria vendase po përgatitet për një kundërofensivë, që sipas ekspertëve është gati të nisë nga dita në ditë.

“Për mendimin tim do të duhen 3-6 muaj për lirimin e territoreve në lindje të Ukrainës”, u shpreh zëdhënësi i forcave ukrainase, Serhiy Cherevaty. Ai shtoi se gjithçka varet nga armatimi që ushtria do të ketë në dispozicion.

Kolona e mjeteve të blinduara Bradley, pamje që nxitin dyshimet se ukrainasit po përgatitin kundërofensivën e re

Mjetet luftarake të këmbësorisë Bradley M2A2 ODS që së fundmi i janë dhënë ushtrisë ukrainase, kanë filluar të shihen në vijën e parë të frontit.

Ishte brigada e 47-të e motorizuar, e cila i ka tetë sosh si dhe tanket M-44 S (tanku slloven T-55), e pritet që edhe një brigadë tjetër të ketë automjete të tilla të blinduara.

Në videon e publikuar më poshtë shihen kolona e këtyre mjeteve që kanë ngjyrë të hirtë, derisa ukrainasit kanë Bradley edhe me të gjelbër.

Se ku aktualisht gjenden këto automjete luftarake nuk dihet, pasi tabela e vendit para tyre është “shlyer” për arsye të sigurisë dhe pikërisht para tabelës ndërpritet filmimi.

Pentagoni i ka dhuruar nga rezervat e saj mbi 50 mjete të blinduara Bradley, të cilat i ka në dispozicion ushtria ukrainase.

Gjykuar nga pamjet, analistët ushtarakë thonë se është një shenjë që paralajmëron se ukrainasit po përgatiten për një kundërofensivë të madhe.

 

Gerashchenko: Droni ukrainas fluturon mbi Sheshin e Kuq të Moskës

Këshilltari i ministrit të Brendshëm ukrainas Anton Gerashchenko, në Twitter ka shpërndarë një video të Sheshit të Kuq në Moskë dhe atë nga perspektiva e zogut.

“Droni ukrainas fluturon lirshëm mbi Moskë. Duket se Kremlini ka gjasa të mëdha se shpejtë të gjej veten në një zonë të goditur. Fishekzjarrët e planifikuara për 9 maj”, ka shkruar përbri videos së publikuar/

Rusia më 9 maj shënon Ditën e Fitores ku festohet fitoja e ushtrisë ruse mbi nazizmin e gjermanëve në vitin 1945. Edhe këtë vit atë ditë në Moskë do të mbahet parada tradicionale ushtarake në Sheshin e Kuq, por për arsye të sigurisë është anuluar parakalimi”, ka shkruar Gerashchenko.

Paradat që shënojnë 9 majin janë anuluar gjithashtu në Krime dhe në qytetet Belgorod dhe Kursk, që kufizohen me Ukrainën.

“Sheshi i Kuq do të jetë i mbyllur për publikun nga data 27 prill deri më 10 maj për përgatitjen dhe mbajtjen e paradës. Nëse kam të drejtë, kjo nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Moskës, as në vitin 1941. A kanë frikë autoritetet e Kremlinit për diçka”, Gerashchenko pyeti veten.

“Ka edhe një gjë: dronët po bien nga qielli. Mbyllja fizike e sheshit nuk i mbron nga kjo”, paralajmëroi politikani ukrainas.

Agjencia ruse e lajmeve Tass ka njoftuar sot se tre dronë me kamera janë gjetur në zona të ndryshme të rajonit të Moskës. 

Rreziku i konfliktit të drejtpërdrejtë midis SHBA-së dhe Rusisë ‘duke u rritur vazhdimisht’ – pretendon një zyrtar i lartë rus

Rreziqet e një konfrontimi të drejtpërdrejtë ushtarak midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë në rritje të vazhdueshme.

Kështu së paku pretendon një diplomat rus, i cituar nga agjencia e lajmeve TASS, shkruan SkyNews.

Vladimir Yermakov, kreu i ministrisë së jashtme për mospërhapjen bërthamore, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve se “Uashingtoni po përshkallëzon rreziqet përmes sjelljes së tij me Moskën”.

“Nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndjekin kursin e tyre aktual të konfrontimit me Rusinë,… atëherë fati i START (traktatit të armëve bërthamore) mund të jetë një përfundim i paramenduar”, citohet të ketë thënë Yermakov.

Ndryshe, SHBA i tha Rusisë në mars se do të pushojë së shkëmbyeri disa të dhëna për forcat e saj bërthamore pas refuzimit të Moskës për ta bërë këtë.

Ata e quajtën këtë një përgjigje ndaj Rusisë që pezulloi pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START.

Megjithatë, Yermakov nuk ishte specifik në lidhje me kërcënimet e SHBA-së në intervistën e tij për TASS.

Kështu tha ai: “Kërcënimi më i mprehtë sot lidhet me rrezikun e përshkallëzimit bërthamor si rezultat i një konfrontimi të drejtpërdrejtë ushtarak midis fuqive bërthamore”.

“Dhe këto rreziqe, për keqardhjen më të thellë, janë në rritje të vazhdueshme”.

Negociatat për hyrjen e Ukrainës në BE duhet të fillojnë këtë vit, kërkon kryeministrja e Estonisë

Negociatat për hyrjen e Ukrainës në Bashkimin Evropian (BE) duhet të fillojnë këtë vit, ka thënë të hënën kryeministrja estoneze Kaja Kallas.

Ndryshe, Kievi nisi një përpjekje për t’u bashkuar me bllokun më të pasur tregtar në botë vitin e kaluar, pas fillimit të agresionit rus.

Dhe në këtë drejtim ka entuziazëm – për anëtarësimin e Ukrainës – nga disa kryeqytete të BE-së, pavarësisht shqetësimeve se mund të duhen vite, potencialisht dekada deri te një gjë e tillë.

“Ne shpresojmë që Ukraina do të jetë në gjendje të fillojë negociatat e anëtarësimit me BE këtë vit”, ka thënë Kallas.

Megjithatë, ajo pranoi se do të ishte një “proces i vështirë”, duke shtuar se Ukraina duhet “të përmbushë 100% të kushteve” të vendosura nga Brukseli.

“Unë mendoj se ju duhet të shfrytëzoni këtë mundësi, këtë dritare, për të ndërmarrë reforma të ashpra”.

Për t’u anëtarësuar në BE, një vend duhet të përmbushë disa kritere ekonomike, politike dhe sociale, përveç angazhimit për parimet demokratike.

Kallas foli së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë një vizite në Zhytomyr në Ukrainën perëndimore. Ai i përshkroi bisedimet e tyre si “shumë të frytshme”.

Estonia është një mbështetëse e vendosur e Ukrainës kundër Moskës, duke ofruar ndihmë ushtarake dhe financiare, si dhe duke pritur më shumë se 40,000 refugjatë ukrainas.

Bisedimet midis dy udhëheqësve u përqendruan në “armët, municionet dhe trajnimin [ushtarak]”, sipas Kallas, e cila po vizitonte Ukrainën për herë të parë që nga fitorja dërrmuese e partisë së saj në zgjedhje muajin e kaluar.

Ajo u bëri thirrje vendeve të tjera evropiane që të tregojnë “vendosmëri” dhe “shpejtësi” në furnizimin me armë të Kievit, ndërsa ai përgatitet për një kundërofensivë të mundshme pranverore.

Kievit iu dha statusi i kandidatit në qershor 2022, katër muaj pasi tanket ruse kaluan kufirin.

“Rusia ka konsideruar zëvendësimin e Putinit për më shumë se një vit”

Rusia ka konsideruar zëvendësimin e diktatorit Vladimir Putin për më shumë se një vit.

Kështu ka thënë kreu i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës së Ukrainës (HUR), Kyrylo Budanov, shkruajnë mediat e huaja.

“Opsionet për transferimin e pushtetit janë shqyrtuar dhe janë duke u shqyrtuar për më shumë se një vit, por ato nuk mund të sjellin një vendim”, citohet të ketë thënë ai.

Ai sugjeroi se një “grusht shteti pallati” mund të ndodhte në Kremlin, por ai nuk do të vihet re publikisht.

“Më së shumti do të thonë se dikush ka vdekur nga një atak në zemër, apo dikush është arrestuar sepse doli të ishte agjent i inteligjencës britanike,…”.

Madje, elitat ushtarake dhe politike të Rusisë tashmë po diskutojnë kandidatët për pasardhësin e Putinit dhe ka më shumë se një, mendon Budanov.

Megjithatë, ai nuk pranoi të përmendte emra konkretë.

Medvedev: Ndoshta jemi në prag të një lufte të re botërore

Një aleat i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se bota ka të ngjarë që është në prag të një lufte të re botërore.

Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, paralajmëroi se rreziqet nga një konfrontim bërthamor janë duke u rritur.

“Bota ka të ngjarë që është në prag të një lufte të re botërore”, tha Medvedev gjatë një konference në Moskë më 25 prill.

Medvedev aktualisht është zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, që është një institucion mjaft i fuqishëm në këtë shtet.

Ai tha se një luftë e tillë nuk është e pashmangshme, por rreziqet nga konfrontimi bërthamor janë duke u rritur dhe janë më serioze sesa shqetësimet lidhur me ndryshimet klimatike.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se bota po përballet me dekadën më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai e konsideron luftën në Ukrainë si një betejë ekzistenciale ndaj, siç është shprehur, një Perëndimi agresiv dhe arrogant.

Lideri rus ka deklaruar se shteti i tij do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për ta mbrojtur veten ndaj çdo agresori.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë dënuar pushimin rus të Ukrainës, duke thënë se ky është tentim për të marrë toka perandorake. Ukraina është zotuar se do të luftojë derisa trupat ruse të tërhiqen nga territori i saj, duke shtuar se retorika ruse për një luftë bërthamore synon të frikësojë Perëndimin që të ndalë ndihmën ushtarake që i ofron Kievit.

Zelensky dënon sulmin “barbar” rus ndaj muzeut ukrainas

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 25 prill se Rusia po tenton të fshijë historinë dhe kulturën e Ukrainës, pas një sulmi ajror në një muze, ku u vra një punëtor dhe u plagosën dhjetë të tjerë.

Zelensky tha se një sulm ajror rus goditi muzeun e historisë në Kupiansk, qytet që gjendet pranë vijës së frontit në verilindje të Ukrainës.

“Ka ende persona që janë nën rrënoja”, tha Zelensky përmes një postimi në Telegram. Ai postoi edhe një video ku shiheshin persona me uniformë ushtarake duke kërkuar për të mbijetuar nën rrënojat e muzeut pjesërisht të shkatërruar.

Rusia “po vret ukrainasit me metoda absolutisht barbare”, tha Zelensky.

Lideri ukrainas akuzoi Moskën se “po bën gjithçka për të na shkatërruar tërësisht, për të shkatërruar historinë tonë, kulturën tonë dhe njerëzit tanë”.

Rritet frika nga një pushtim i sërishëm i qytetit të çliruar të Ukrainës

Shtatorin e vitit të kaluar, forcat ukrainase rimorën kontrollin e Kupianskut, një qendër e rëndësishme hekurudhore në verilindje të Ukrainës.

Në fillim të marsit të këtij viti, autoritetet ukrainase urdhëruan banorët e këtij qyteti që të evakuoheshin, pas rritjes së frikës se Rusia mund të tentojë sërish të marrë kontrollin e Kupianskut./REL

Agjentët e dyfishtë në qeverinë ukrainase i hapën rrugën pushtimit rus

Ukraina po godet agjentët e dyfishtë brenda radhëve të saj, të cilët hapën rrugën për pushtimin rus të qytetit jugor të Khersonit dhe termocentralit bërthamor të Çernobilit.

Informacioni i mbledhur nga Byroja Shtetërore e Hetimeve të Ukrainës (SBI) konfirmoi se agjencia ruse e inteligjencës FSB ishte infiltruar në Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës (SBU) dhe në qeverinë lokale, sipas një raporti të lëshuar nga SBI.

Agjentët e agjencive u ndihmuan nga refugjatë ukrainas pro-rusë që u larguan nga vendi gjatë kryengritjes së Maidan të vitit 2014, tha Tetiana Sapian, zëdhënëse e SBI-së.

Kryengritja e Maidanit ishte një seri demonstratash në Ukrainë që filluan në nëntor 2013 pasi ish-presidenti Viktor Janukoviç vendosi të mos e vazhdojë nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociimit midis Bashkimit Evropian dhe Ukrainës. Në vend të kësaj, ai kaloi në Rusi dhe në Bashkimin Ekonomik Euroaziatik të ndikuar nga Rusia.

Sapian tha se informacioni i mbledhur mund të provonte të ishte vetëm maja e ajsbergut.

“Rrjeti është shumë më i gjerë dhe hetimi është i zënë me zbulimin e të gjitha rrethanave dhe veprimeve të individëve që çuan në kapjen e shpejtë të një pjese të jugut nga trupat e agresorit nga territori i Krimesë së aneksuar”, tha Sapian, siç raporton Politico.

SBI dhe SBU së fundi përfunduan një hetim ndaj Oleh Kulinich, ish-kreu i departamentit të Krimesë të SBU, me dyshimin për bashkëpunim me FSB. Kulinich, i cili ishte i pranishëm në takimet e nivelit të lartë të sigurisë në Ukrainë, thuhet se bllokoi informacionin për situatën aktuale në Kherson dhe nuk ndërmori asnjë veprim për të mbrojtur territorin ukrainas.

“Në orët e para të pushtimit, Kulinich bllokoi qëllimisht çdo përpjekje për të përditësuar udhëheqjen mbi situatën aktuale në [Kherson]… Ai urdhëroi personelin të largohej nga stacioni i tyre i detyrës,” tha Sapian në një konferencë sigurie.

Zëdhënësi i SBI tha gjithashtu se Kulinich loboi për emërimin e Andriy Naumov si nënkryetar i SBU. Naumov u akuzua më vonë se i ndihmoi rusët të kapnin termocentralin bërthamor të Çernobilit në shkurt 2022.

Insajderi, një gazetë e pavarur investigative e fokusuar në zbulimin e lajmeve të rreme ruse, raportoi më parë se Naumovit iu ofrua azil në Rusi në këmbim të dëshmimit kundër presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Zelensky shkarkoi Kulinich në mars të vitit të kaluar. Ai u arrestua në korrik dhe u akuzua për tradhti.

SBU më pas publikoi bisedat e përgjuara midis Kulinich dhe Volodymyr Zivkovych, një ish-zëvendës ministër i mbrojtjes i cili u largua nga Ukraina në vitin 2014.

Zivkovych u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara në janar 2022 për bashkëpunim me një grup të inteligjencës ruse të ngarkuar me ndikimin e operacioneve për të mbledhur mbështetje për aneksimin e Krimesë nga Rusia. Departamenti Amerikan i Thesarit konfirmoi gjithashtu rolin e tij në përhapjen e dezinformatave gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2020-ës në SHBA.

Shefi i OKB-së denoncon ‘shkatërrimin’ në Ukrainë në sy të ministrit rus

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së denoncoi të hënën “shkatërrimin” e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës nga Moska gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të kryesuar nga ministri i jashtëm rus.

Antonio Guterres tha para Sergei Lavrov se pushtimi rus është një shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe po “shkakton vuajtje masive” për popullin ukrainas.

Ai shtoi se kjo “po i shton dislokimit ekonomik global të shkaktuar nga pandemia Covid-19”.

Guterres tha se bota po përballet me “kriza të pashembullta dhe të ndërlidhura”.

“Tensionet midis fuqive të mëdha janë në një kulm historik. Po ashtu edhe rreziqet e konfliktit, nëpërmjet fatkeqësive apo llogaritjeve të gabuara,” shtoi shefi i OKB-së, i ulur pranë Lavrov.

Rusia mban presidencën e rradhës të Këshillit të Sigurimit në prill dhe organizoi takimin si një nga ngjarjet e shënjuara të mandatit të saj.

Rusia është nën sanksione nga Perëndimi, për shkak të pushtimit të Ukrainës, që ka nisur në shkurt të vitit 2022.

Deri më sot, mijëra civilë janë vrarë në Ukrainë, miliona janë larguar nga shtëpitë dhe dhjetëra qytete janë shkatërruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat