Rusia feston fitoren në Bahmut, Kievi pretendon se luftimet vazhdojnë

Bota

Rusia feston fitoren në Bahmut, Kievi pretendon se luftimet vazhdojnë

Më: 21 maj 2023 Në ora: 12:57
Luftëtarët e grupit Wagner tundin flamujt rusë në një vend të paidentifikuar, në një foto të marrë nga një video e publikuar më 20 maj 2023.

Rusia ka shpallur fitoren në Bahmut, qytet në lindje të Ukrainës, ndonëse zyrtarët ukrainas pretendojnë se luftimet vazhdojnë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, më 21 maj, në Japoni, tha se pak ka mbetur nga Bakhmuti dhe se qyteti është shkatërruar pothuajse plotësisht.

I pyetur nëse Bahmuti ishte nën kontrollin e Ukrainës, Zelensky nuk ishte plotësisht i qartë, por tha: “Mendoj që jo”, gjë që u interpretua si konfirmim i humbjes së Bakhmutit.

“Sot, Bahmuti është vetëm në zemrat tona”, tha Zelensky në Hiroshimë, ku ishte i ftuar në samitin e grupit G7, ku morën pjesë liderët e vendeve më të zhvilluara ekonomikisht në botë.

Megjithatë, zyra e presidentit ukrainas më vonë sqaroi se Zelensky nuk deklaroi se qyteti kishte “rënë”.

Zëdhënësi i presidentit ukrainas, Sergiy Nykyforov, mohoi pretendimet se Bahmuti kishte rënë në duart e forcave ruse.

Ai i tha CNN-it se përgjigja e Zelenskyt, “mendoj që jo”, i referohej pretendimeve ruse se ata kishin pushtuar qytetin.

“Presidenti mohoi që Bahmut ishte marrë”, tha Nykyforov.

Deklarata e presidentit ukrainas vjen disa orë pasi Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e ushtrisë private Wagner, të mbështetura nga trupat ruse, kishin marrë Bakhmutin.

Themeluesi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, më herët publikoi një video duke pretenduar se forcat e tij kontrollonin të gjithë qytetin, megjithëse qeveria ukrainase e mohoi shpejt këtë.

Presidenti rus Vladimir Putin ka uruar ushtarët “për pushtimin e qytetit”, me mesazhin se më të merituarit do të shpërblehen, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.

Këto pretendimet vijnë pasi Ukraina thuhet se realizoi përparim të prekshëm në fushën e betejës, në rrethet në veri dhe në jug të Bakhmutit.

Këto pretendime, gjithashtu, vinë në kohën kur Ukraina po përgatitet për një kundërofensivë, e cila pritet në një ose më shumë lokacione përgjatë vijës së betejës, e cila është e gjatë më shumë se 1.000 kilometra.

Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se numri i ushtarëve rus të vrarë dhe të plagosur në Bakhmut , sillet ndërmjet 20.000 dhe 30.000, ndërsa edhe ushtria ukrainase gjithashtu pagoi një çmim të rëndë.

Rusia dhe Ukraina kanë luftuar tash e disa muaj në Bahmut dhe beteja për atë qytet është më e gjata që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në fund të shkurtit 2022./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat