Betejë me kohën për të gjetur nëndetësen Titan, ndërsa oksigjeni në bord po mbaron

Bota

Betejë me kohën për të gjetur nëndetësen Titan, ndërsa oksigjeni në bord po mbaron

Më: 22 qershor 2023 Në ora: 16:17
Foto ilustrim

Kërkimet masive shumëkombëshe për gjetjen e nëndetëses turistike Titan me pesë persona në bord kanë hyrë në ditën e pestë. Mjeti lundrues u zhyt për të parë mbetjet e Titanikut, që u fundos në ujërat e oqeanit Atlantik në vitin 1912, por humbi kontaktin me anijen që e shoqëronte atë, pas më pak se dy orësh nga zhytja. Sipas përllogaritjeve personave në të u kanë mbetur vetëm pak orë oksigjen, që mund të përfundojë ditën e sotme.

Nëndetësja Titan, e cila operohet nga kompania private amerikane ‘OceanGate Expeditions’, u zhyt të dielën në orën 8 të mëngjesit në afërsi të brigjeve kanadeze. Ajo humbi kontaktin me anijen që e shoqëronte, në përfundim të asaj që duhej të kishte qenë një zhytje dy-orëshe në pjesën veriore të oqeanit Atlantik.

Sipas kompanisë nëndetësja kishte 96 orë oksigjen, që ka të ngjarë të përfundojë brenda ditës së sotme. Ekspertët thonë se shpejtësia me të cilën do të reduktohet oksigjeni do të varet nga disa faktorë, nëse nëndetësja ka ende energji, apo se sa të qetë janë personat në bord, duke supozuar që anija nuk është dëmtuar.

Një mjet nënujor i lëshuar nga një anije kanadeze kreu kërkime në fundin e oqeanit, tha Roja Bregdetare amerikane të enjten në mëngjes në një postim në Twitter.

Të mërkurën u ndezën shpresat kur Roja Bregdetare amerikane njoftoi se avionët kanadezë kishin regjistruar disa zhurma nënujore prej ditës së martë.

Por autoritetet amerikane thanë se mjetet nënujore që zhvilluan kërkime atje ku u zbuluan zhurmat, nuk kishin dhënë rezultate dhe zyrtarët paralajmëruan se tingujt, mund të mos e kishin origjinën nga Titani.

Megjithatë ata shtuan se analiza e zhurmave nuk ishte përfundimtare.

Në zonën e kërkimit ka mbërritur sot edhe anija kërkimore franceze ‘Atalante’, e pajisur me një mjet robotik zhytës, të aftë për të arritur në thellësinë, ku ndodhen mbetjet e Titanikut, rreth 3,810 metra nën sipërfaqen e oqeanit.

Roboti “Victor 6000” është i pajisur me krahë që mund të kontrollohen nga distanca, të cilët ndihmojnë në çlirimin e një anijeje të bllokuar ose mund ta lidhin atë, me një anije për ta tërhequr. Marina amerikane njoftoi se po dërgonte një mjet të veçantë shpëtimi, që shërben për të ngritur objekte të mëdha nënujore./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat