Presidenti amerikan viziton anëtarin më të ri të NATO-s

Bota

Presidenti amerikan viziton anëtarin më të ri të NATO-s

Më: 13 korrik 2023 Në ora: 23:10
Foto nga vendi i ngjarjes

Presidenti amerikan, Joe Biden, është takuar me liderët nordikë në Finlandë, në ditën e fundit të udhëtimit të tij në Evropë. Takimi i mbajtur në Helsinki vjen një ditë pas përfundimit të Samitit të NATO-s, të cilin presidenti e cilësoi si shumë të suksesshëm.

Presidenti amerikan, Joe Biden, mbajti takim me liderët nordikë, të enjten, në territorin e anëtarit më të ri të NATO-s, Finlandës, në një demonstrim të fuqisë dhe ndikimit në rritje të aleancës ushtarake kundër Rusisë.

"Unë e kam bërë këtë qe një kohë të gjatë", tha Bideni, në hapje të takimit me presidentin finlandez, Sauli Niinistö, në Pallatin presidencial. "Unë nuk mendoj se NATO-ja ka qenë ndonjëherë më e fortë".

Bideni u takua gjithashtu me liderët e vendeve të tjera nordike, duke përfshirë Suedinë, Norvegjinë, Danimarkën dhe Islandën. Suedia pritet të bëhet vendi i 32-të, anëtar i NATO-s, pas premtimeve për më shumë bashkëpunim me Turqinë në përpjekjet kundër terrorizmit, ndërsa mbështeti ofertën e Ankarasë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian. Finlanda fitoi anëtarësimin në NATO në fillim të këtij viti.

Si Finlanda ashtu edhe Suedia braktisën një histori të mosangazhimit ushtarak dhe kërkuan të bashkohen me aleancën e NATO-s, pasi Rusia pushtoi Ukrainën vitin e kaluar.

Ndalesa e shkurtër e Bidenit në kryeqytetin finlandez është pikë kthese e një udhëtimi që ishte skicuar me kujdes për të nxjerrë në pah rritjen e aleancës ushtarake që presidenti amerikan thotë se është forcuar që nga pushtimi rus i Ukrainës. Pranimi i Finlandës në NATO dyfishoi në mënyrë efektive kufirin e aleancës me Rusinë.

Samiti i suksesshëm i NATO-s

Bideni mbërriti në Helsinki pas asaj që ai e konsideroi një samit të suksesshëm të NATO-s në Vilnius, Lituani, ku aleatët gjetën gjuhë të përbashkët në lehtësimin e rrugës për Ukrainën, për t'u bërë gjithashtu një anëtare e ardhshme e aleancës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e quajti rezultatin e samitit "një fitore të rëndësishme të sigurisë" për vendin e tij, por megjithatë shprehu zhgënjimin që nuk mori një ftesë të drejtpërdrejtë për t'u bashkuar.

Bideni dhe zyrtarë të tjerë të administratës gjithashtu zhvilluan biseda të rëndësishme me Turqinë, para se ajo të hiqte dorë nga kundërshtimet e saj ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO.

Bideni tha se ndihej mirë për këtë udhëtim. "Ne arritëm çdo qëllim që kishim vendosur të arrinim", u tha ai gazetarëve të mërkurën përpara nisjes për në Finlandë.

Dhe pavarësisht zhgënjimeve të shprehura të Zelenskyyt, Bideni – i cili u takua me udhëheqësin ukrainas të mërkurën në Vilnius – tha të enjten se Zelenskyy “u nda shumë i kënaqur”.

Dy presidentë të ndryshëm

Udhëtimi i presidentit amerikan këtë javë – një përpjekje koreografike e përpiktë, që synon të shfaqë kundërshtimin ndërkombëtar ndaj luftës së liderit rus, Vladimir Putin, në Ukrainë – u zhvillua gati pesë vjet pas ditës kur presidenti i atëhershëm, Donald Trump, qëndroi përkrah Putinit në Helsinki. Kjo ndodhi vetëm disa ditë pasi Trumpi përfundoi një samit të NATO-s, ku ai përçmoi aleancën dhe nga i cili kërcënoi se do të tërhiqte Shtetet e Bashkuara.

Në të kundërtën, Bideni ka përkrahur parimet e multilateralizmit që Trumpi i shmangu, duke folur vazhdimisht për nevojën për të rindërtuar koalicionet ndërkombëtare pas katër vjetëve të trazuar nën udhëheqjen e paraardhësit të tij.

Gjatë hapjes së takimit, Niinistö tha se homologët e tij nordikë kishin një objektiv kryesor: "të garantonin të ardhmen - në aspektin e sigurisë, mjedisor dhe në atë teknologjik". Bideni shtoi se "kombet rreth tryezës jo vetëm që ndajnë histori të përbashkët, por ndajmë sfida të përbashkëta dhe unë do të shtoja pa modesti edhe vlerat e përbashkëta".

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, i cili takoi Bidenin në Oval Office javën e kaluar, i tha Bidenit: Unë të kam takuar ty më shumë sesa kam takuar familjen time.

Vizita simbolike e Bidenit

Bisedimet në Pallatin presidencial në zemër të Helsinkit do të fokusohen në bashkëpunimin më të ngushtë midis vendeve nordike dhe Shteteve të Bashkuara për çështjet e sigurisë, mjedisit dhe teknologjisë, tha zyra e Niinistös. Bideni caktoi gjithashtu një konferencë shtypi me Niinistön përpara se të nisej për në Washington.

Bideni është presidenti i gjashtë i SHBA-së që viziton Finlandën, një vend me 5.5 milionë banorë që ka qenë nikoqir i disa samiteve, SHBA - Bashkim Sovjetik dhe SHBA - Rusi. E para përfshinte presidentin amerikan, Gerald Ford, i cili nënshkroi të ashtuquajturën Marrëveshje të Helsinkit me më shumë se 30 vende të tjera në vitin 1975.

Por Charly Salonius-Pasternak, studiues i lartë në Institutin Finlandez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, vuri në dukje se vizita e Bidenit shënoi herën e parë që një president në detyrë i SHBA-së erdhi në Finlandë për të nderuar vetë vendin, në vend që ta konsideronte një vend neutral për takime me liderët rusë ose për arsye të tjera të ngjashme.

“Fakti që Bideni ka zgjedhur të shkojë posaçërisht në Finlandë është simbolik dhe, në njëfarë mënyre, shumë konkret”, tha ai. “Është një lloj mesazhi që vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta bëjnë”.

Në epokën e Luftës së Ftohtë, Finlanda veproi si një amortizator neutral midis Moskës dhe Washingtonit dhe udhëheqësit e saj luajtën një rol balancues midis Lindjes dhe Perëndimit, duke mbajtur marrëdhënie të mira me të dy superfuqitë.

Finlanda dhe Suedia fqinje hoqën dorë nga neutraliteti i tyre tradicional politik duke iu bashkuar Bashkimit Evropian në vitin 1995, por të dyja mbetën të palidhura ushtarakisht, me sondazhet që tregonin një shumicë të qartë të qytetarëve të tyre kundër anëtarësimit në NATO. Kjo ndryshoi shpejt pas 24 shkurtit 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat