Shefi i Pentagonit: Nuk kam dyshime për anëtarësimin e Ukrainës në NATO

Bota

Shefi i Pentagonit: Nuk kam dyshime për anëtarësimin e Ukrainës në NATO

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 06:10
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se nuk ka “asnjë dyshim” për anëtarësimin e Ukrainës në NATO pas luftës me Rusinë.

Në një intervistë për CNN, Austin bëri vlerësime rreth aplikimit të Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO.

“Nuk kam asnjë dyshim se do të ndodhë dhe ne dëgjuam të gjitha vendet në sallë të thonë të njëjtën gjë”, tha shefi i Pentagonit, duke iu referuar Samitit dyditor të NATO-s në Lituani që u mbajt këtë javë.

Austin theksoi gjithashtu se Ukraina duhet të ndërmarrë disa hapa përpara se të anëtarësohet në NATO, duke përfshirë reformat gjyqësore dhe gjendjen e demokracisë.

Duke mos komentuar se kur mund të përfundojë lufta ose sa kohë mund të duhet që Ukraina të bashkohet me NATO-n pasi të përfundojë, Austin tha: “Unë do të them se të gjitha vendet që kam parë duan të veprojnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Besoj se të gjithë duan që Ukraina të jetë në aleancë”.

Gjatë Samitit të NATO-s, i cili përfundoi në Vilnius të Lituanisë, në agjendë ishte edhe pjesëmarrja e Ukrainës në aleancë, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se Ukraina nuk është e gatshme për anëtarësim për momentin dhe se kjo gjë do të vlerësohet pas luftës me Rusinë.

Ukraina aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në NATO pas luftës me Rusinë që filloi në shkurt 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat