Teatri rus Bolshoi, përpjekje për forcimin e lidhjeve me Kinën

Bota

Teatri rus Bolshoi, përpjekje për forcimin e lidhjeve me Kinën

Më: 16 korrik 2023 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Ashtu si qeveria ruse, Teatri Bolshoi, një nga dy qendrat më të mëdha të operës dhe baletit në botë, po bojkotohet nga Perëndimi për shkak të fushatës ushtarake të Moskës në Ukrainë. Për këtë arsye, drejtuesit e teatrit po përpiqen të thellojnë lidhjet me Kinën dhe vende të tjera të lindjes.

Pavarësisht sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe sanksioneve të Perëndimit ndaj Moskës, Teatri Bolshoi vazhdon të japë shfaqje të baletit dhe operës. Drejtori i këtij teatri, Vladimir Urin, njoftoi së fundmi në Moskë programin për vitin 2023/24, duke thënë se ai ishte i trishtuar nga ndërprerja e bashkëpunimit të rregullt krijues me kompani dhe artistë të teatrove në vendet perëndimore.

"Jam thellësisht i bindur se vetëm kultura dhe arti mund t'i ndihmojnë vërtet vendet që ta kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Madje edhe në situatën e ndërlikuar dhe të vështirë që kemi tani në botë", tha ai.

Trupa e Baletit e Teatrit Bolshoi tashmë pritet të shkojë në Kinë në korrik, dhe zoti Urin tha se diskutime të hollësishme janë duke u zhvilluar si për bashkëpunimin në fushën e baletit ashtu edhe atë të operës gjatë vitit 2024.

Por ai tha se arsyet për udhëtimet jashtë vendit asnjëherë nuk kanë qenë financiare dhe se nuk është e vërtetë që ato sollën të ardhura të konsiderueshme.

"Kjo ka të bëjë më shumë me imazhin, ndarjen me të tjerët të gjërave që dimë t’i bëjmë. Pra, kjo ka të bëjë me krijimitarinë, më shumë se çdo gjë tjetër", tha ai.

Këtë sezon në Rusi do të shfaqet premiera e operës së Verdit, Luisa Miller, ku do të interpretojë tenori italian Antonio Poli. Ndonëse ai duhet të fluturojë përmes Turqisë për shkak të sanksioneve perëndimore, 37 vjeçari Poli nuk ka asnjë shqetësim lidhur me interpretimin e tij në Rusi.

“Shumë këngëtarë italianë dhe ndërkombëtarë vijnë këtu. Kjo është hera e parë për mua këtu dhe më duhet të them se është vërtet një vend i mrekullueshëm për të bërë prova dhe për të kënduar”, tha ai

Orkestra Bolshoi do të bashkëpunojë me Teatrin Maly të Moskës për herë të parë këtë vit për një produksion të shfaqjes së Aleksandër Ostrovskit "The Snow Maiden", me muzikë nga Çajkovski, për të shënuar 150 vjetorin e shfaqjes së saj të parë.

Trupa ruse e baletit do të udhëtojë gjithashtu në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk në nëntor dhe në Oman në janar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat