Kievi dhe Odesa goditen nga sulmet ajrore ruse për të dytën natë me radhë

Bota

Kievi dhe Odesa goditen nga sulmet ajrore ruse për të dytën natë me radhë

Më: 19 korrik 2023 Në ora: 11:57
Banorët pastrojnë mbeturinat e shkaktuara nga sulmet me raketa dhe dronë rusë, pranë Odesës, Ukrainë, 19 korrik 2023.

Një sulm masiv ajror goditi portin ukrainas të Odesës për të dytën natë me radhë. Një zyrtar ukrainas e përshkroi sulmin si "ferr". Autoritetet ukrainase, megjithatë, u zotuan se do të vazhdojnë punën për eksportin e drithërave.

Sulmi ishte "shumë i fuqishëm, me të vërtetë masiv", tha Serhiy Bratchuk, zëdhënës i administratës ushtarake të Odesës, përmes një mesazhi në kanalin e tij në Telegram të mërkurën.

Ishte një natë si në ferr”, tha ai, duke shtuar se detajet për dëmet dhe viktimat do të jepen më vonë.

Pas shpërthimit në një urë që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë, për të cilin Moska e fajësoi Ukrainën, Rusia u zotua për hakmarrje dhe nisi sulmet në Odesa.

Odesa është porti më i rëndësishëm për eksportet e grurit të Ukrainës.

Pak kohë pas incidentit të urës, Moska u tërhoq nga marrëveshja e drithërave përmes Detit të Zi që kishte lehtësuar një eksport të sigurt të grurit të Ukrainës për një vit. Kombet e Bashkuara shprehën shqetësimin se ky veprim rrezikon të krijojë uri në mbarë botën.

"(Ata) po përpiqen ta trembin të gjithë botën, veçanërisht ata që duan të punojnë për korridorin e grurit... Ukrainën, Turqinë dhe Kombet e Bashkuara", tha Bratchuk.

Pjesa më e madhe e Ukrainës ushtonte nga alarmet për sulme ajrore, duke filluar menjëherë pas mesnatës së të mërkurës, me Rusinë që goditi edhe qytete tjera, duke përfshirë një sulm me dronë në Kiev.

“Ishte një natë e vështirë nga sulmet ajrore për të gjithë Ukrainën, veçanërisht në jug, në Odesa”, tha kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit, Serhiy Popko, në Telegram.

Ai tha se Kievi u sulmua dhe sipas informacioneve paraprake, ka dëme dhe mund të ketë viktima.

Rusia nuk i ka komentuar sulmet, por blogerët ushtarakë pro-Kremlinit thanë se Moska ka përdorur një kombinim të raketave dhe dronëve për të sulmuar Odesën dhe rajonet tjera.

Agjencia e lajmeve RBC-Ukraine raportoi se një sulm ndodhi edhe në gadishullin e Krimesë, me shpërthime që u dëgjuan në terrenet e stërvitjes ushtarake në distriktin Kirovske.

Zjarri që shpërtheu nga ky sulm pranë një baze ushtarake të stërvitjeve në distriktin Kirovske në gadishullin e Krimesë, ka detyruar evakuimin e më shumë se 2.000 njerëzve dhe mbylljen e autostradës aty pranë, tha të mërkurën guvernatori i Krimesë i cili mbështetet nga Rusia, Sergei Aksyonov.

"Është planifikuar të evakuohen përkohësisht banorët e katër vendbanimeve, më shumë se 2.000 njerëz", tha Aksyonov në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Ai nuk dha informacione se për çfarë arsyesh u shkaktua zjarri, i cili detyroi gjithashtu mbylljen e pjesshme të autostradës kryesore Tavridy.

Kanalet e Telegramit të Rusisë të lidhura me shërbimet ruse të sigurisë dhe mediat ukrainase raportuan se një depo municioni ishte duke u djegur pas një sulmi ajror ukrainas gjatë natës.

Moska e aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina në vitin 2014./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat